Serbët bojkotuan zgjedhjet në Veri, SHBA : Katër kryetarët e komunave mbesin në detyrë!

Kryetarët aktualë të komunave u zgjodhën dhe mbesin në detyrë sipas kornizës ligjore të Kosovës.

Ambasada e SHBA-së në Kosovë ka deklaruar se pas dështimit të iniciativës për largimin e kryetarëve, të Mitrovicës Veriore, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut ata do të mbesin në detyrë, duke i dhënë kështu një “shuplakë” të fortë Serbisë.

Ambasada e SHBA-së deklaroi se procesi ishte i rregullt dhe brenda kuadrit ligjorë ekzistues të Kosovës.

Qëndrimi i SHBA-së është i qartë dhe i pandryshuar: Ne mbështesim demokracinë e larmishme, gjithëpërfshirëse, multietnike të Kosovës dhe zgjedhjet e lira, të drejta dhe legjitime që e mbështesin atë. Në përputhje me kërkesat e saj ligjore, Kosova mbajti një votim për tërheqjen e kryetarëve të komunave më 21 prill në katër komunat në veri të Kosovës. Ky votim u kërkua si rezultat i përpjekjeve të suksesshme nismëtare të bëra nga qytetarët brenda kuadrit ligjor ekzistues dhe të vërtetuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”, tha një zëdhënës i Ambasadës Amerikane të dielën për Gazetën Express.

Ambasada e SHBA-së shprehu gjithashtu keqardhje që Lista Serbe dhe aktorët tjerë politikë serbë të Kosovës nuk rishqyrtuar vendimin për mospjesëmarrje në votimet e sotme për largimin e kryetarëve shqiptarë nga katër komunat e Veriut.

“Vendet e QUINT-it dhe BE-ja i bënë thirrje Listës Srpska dhe akterëve të tjerë politikë serbë të Kosovës më 10 prill që të rishqyrtojnë qëndrimet e tyre për t’u tërhequr nga pjesëmarrja në këtë votim ligjor për tërheqjen e kyetarëve. Na vjen keq që ata nuk e bënë një gjë të tillë dhe për këtë arsye nuk i shfrytëzuan plotësisht mjetet demokratike në dispozicion të tyre sipas ligjit kosovar për të avancuar demokracinë efektive dhe përfaqësuese. Pjesëmarrja demokratike ndihmon për t’u siguruar që udhëheqësit janë përfaqësues të popullësisë të cilës u shërbejnë. Votimi është një liri kritike e shoqërive demokratike”, vijon përgjigja e zëdhënësit të ambasadës së SHBA-së.

Më tej thuhet se SHBA dhe partnerët e saj e ndoqën nga afër procesin e votimit dhe sikurse edhe KQZ konstatojnë se pjesëmarrja në votime ka qenë e ulët. Por duke qenë se procesi ishte i rregullt dhe ligjorë, theksohet se 4 kryetarët e zgjedhur mbesin në detyrë.

Jemi të vetëdijshëm se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) u bëri thirrje të gjithë votuesve me të drejtë vote. Ne vlerësojmë përpjekjet e bëra nga zyrtarët kosovarë të zgjedhjeve për të lejuar të gjithë qytetarët e Kosovës të regjistruar në katër komunat të marrin pjesë në këtë proces demokratik. Ne kuptojmë nga ekipet ndërkombëtare të vëzhgimit se ka pasur pjesëmarrje jashtëzakonisht të ulët të votuesve. Prandaj nuk ka asnjë vendim nga votuesit për të tërhequr kryetarët e bashkive. Kryetarët aktualë të komunave u zgjodhën dhe mbesin në detyrë sipas kornizës ligjore të Kosovës”, përfundon përgjigja.

Publikuar nga Publik Media