Sezoni i ri televiziv, lëvizje dhe dilema të hapura
Peizazhi mediatik shqiptar po përgatitet për sezonin e ri televiziv, mes konfirmimesh, rikthimesh të figurave të njohura dhe prapaskenave që ende nuk kanë marrë formë përfundimtare.
Në Top Channel, programi investigativ “Fiks Fare” do të vijojë me të njëjtën dyshe prezantuesish, Xhemi Shehun dhe Juli Deda duke ruajtur formulën e suksesshme të edicioneve të fundit. Po ashtu, emisioni i mbrëmjes “Stop” do të mbetet në duart e Saimir Kodrës dhe Gentian Zenelajt, të cilët prej vitesh kanë krijuar një identitet të veçantë në ekran.
Në Top Channel vijon Grida Duma në drejtimin e “Top Story”.
Në TV Klan, Blendi Fevziu mbetet i pandryshueshëm në timonin e “Opinion”, duke vijuar të mbajë një nga platformat kryesore të debatit politik në vend. Ky stabilitet në programacionin e Klanit tregon përpjekjen e televizionit për të ruajtur audiencën tradicionale dhe formatet që kanë funksionuar ndër vite.
Megjithatë, një nga dilemat më të mëdha të tregut mediatik lidhet me Ylli Rakipin dhe të ardhmen e tij televizive. Pas pesë sezoneve në MCN TV me emisionin “Të Paekspozuarit”, Rakipi ishte shumë pranë një rikthimi në News 24, ku bisedimet me pronarin Irfan Hysenbelliu ishin thuajse të finalizuara që përpara mbylljes së sezonit të kaluar. Por zhvillimet e fundit dhe problemet e Hysenbelliut me sinjalin e News 24 e kanë futur këtë marrëveshje në një pikëpyetje të madhe.
Nëse kjo lëvizje do të realizohet, ajo mund të jetë një nga zhvendosjet më të rëndësishme të sezonit, duke ndryshuar ekuilibrat e debateve politike në prime time. Për momentin, mbetet e paqartë nëse Rakipi do të qëndrojë në MCN TV , pas interesimit të gazetarit tonë, pronari këtij televizioni,Endri Meksi nuk na dha një përgjigje shterruese nëse ka një marreveshje me Ylli Rakipin edhe këtë sezon apo do të rikthehet në “shtëpinë” e tij të dikurshme mediatike.
Me nisjen e shtatorit, televizonet shqiptare pritet të ofrojnë jo vetëm rikthime të figurave të njohura, por edhe ndryshime që mund të ndikojnë dukshëm konkurrencën për audiencë dhe tonin editorial në ekran. Në këtë garë, si gjithmonë, publiku do të ketë fjalën e fundit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



