E diel, 29 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
SHBA i jep Shqipërisë hua 302 milionë dollarë për ushtrinë
Lajme

SHBA i jep Shqipërisë hua 302 milionë dollarë për ushtrinë

12 vite afat për shlyerjen

Shqipëria do të ketë në dispozicion një hua direkte prej 302 milionë dollarësh nga Shtetet e Bashkuara për modernizimin e kapaciteteve të saj ushtarake. Marrëveshja është zyrtarizuar nga Agjencia Amerikane për Bashkëpunimin në Sigurinë e Mbrojtjes (DSCA), në kuadër të programit të Financimit të Huaj Ushtarak (FMF).

Financimi është siguruar në bashkëpunim me Departamentin amerikan të Shtetit dhe synon të mbështesë modernizimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, si dhe rritjen e kapacitetit të vendit për të kontribuar në sigurinë e përbashkët të aleancës së NATO-s.

Sipas autoriteteve amerikane, marrëveshja i mundëson Shqipërisë të përfitojë financim me kosto të ulët dhe kushte fleksibël për zhvillimin e kapaciteteve të saj mbrojtëse.

Ku do të përdoren 302 milionë dollarët

Fondet e huasë do të përdoren për blerjen e pajisjeve dhe shërbimeve të prodhuara nga industria amerikane e mbrojtjes. Investimi parashikohet të ndikojë në modernizimin e Forcave të Armatosura shqiptare dhe në rritjen e ndërveprueshmërisë së tyre me ushtritë e vendeve të tjera anëtare të NATO-s.

Marrëveshja përcakton gjithashtu një afat 48-mujor për aktivizimin e fondeve. Shlyerja e huasë do të kryhet brenda një periudhe prej 12 vitesh.

Përdorimi i financimit do të monitorohet nga DSCA, e cila do të mbikëqyrë zbatimin e marrëveshjes në kuadër të mekanizmave amerikanë të bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Nufi: Është më shumë se financim

Pas zyrtarizimit të marrëveshjes ka reaguar edhe ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi. Ai e ka cilësuar financimin amerikan si një tregues të mëtejshëm të nivelit të marrëdhënieve strategjike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.

“Ky është më shumë se financim. Është besim, partneritet strategjik dhe investim në sigurinë e së ardhmes”, deklaroi Nufi.

Sipas ministrit, huaja prej 302 milionë dollarësh do të ketë një rol të rëndësishëm në procesin e modernizimit të Forcave të Armatosura, ndërsa do të ndihmojë Shqipërinë të rrisë kontributin e saj në sigurinë e përbashkët të NATO-s.

Edhe Departamenti amerikan i Shtetit e ka lidhur financimin me forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Shqipërisë dhe të Evropës. Sipas DASH-it, marrëveshja do të kontribuojë edhe në rritjen e aftësisë së Evropës për të marrë më shumë përgjegjësi në drejtim të mbrojtjes së saj.

Në deklaratën amerikane nënvizohet gjithashtu bashkëpunimi i ngushtë mes Shqipërisë dhe SHBA-së në çështje të rëndësishme të politikës së jashtme.

“Si aleate e NATO-s, Shqipëria është përafruar ngushtë me Shtetet e Bashkuara në çështje të rëndësishme të politikës së jashtme, përfshirë edhe si anëtare themeluese e Bordit të Paqes të presidentit Trump”, thuhet në deklaratën e Departamentit amerikan të Shtetit.

Opozita e kundërshtoi procedurën

Marrëveshja për huanë amerikane mori dritën jeshile në Kuvend vetëm me votat e shumicës parlamentare. Opozita deklaroi se ishte në mbështetje të përmbajtjes së marrëveshjes dhe financimit për modernizimin e ushtrisë, por nuk mori pjesë në votim për shkak të kundërshtimeve mbi procedurën e ndjekur.

Pas miratimit në Kuvend, deputetë të Partisë Demokratike e kanë dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese.

Opozita argumenton se marrëveshja është miratuar me procedurë të përshpejtuar dhe në kundërshtim me kërkesat kushtetuese. Sipas pretendimit të deputetëve demokratë, teksti i marrëveshjes nuk iu vu në dispozicion deputetëve në kohën e duhur për shqyrtim dhe nuk u respektua afati kushtetues prej një jave.

Kështu, ndërsa marrëveshja amerikane për financimin e mbrojtjes është zyrtarizuar nga pala amerikane dhe fondet parashikohen të përdoren për modernizimin e ushtrisë shqiptare, mënyra se si ajo u miratua në Kuvend vijon të jetë objekt i një beteje institucionale, tashmë të dërguar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.