Shqipëria merr 302 milionë dollarë hua nga SHBA-të për ushtrinë
Qeveria shqiptare ka miratuar këtë të premte, në parim, një marrëveshje të rëndësishme huaje me qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me një vlerë totale prej 302 milionë dollarësh. Marrëveshja vjen në kuadër të programit amerikan të Financimit të Jashtëm Ushtarak (Foreign Military Financing – FMF), i cili synon të mbështesë vendet partnere në forcimin e kapaciteteve të tyre mbrojtëse.
Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, kjo marrëveshje do të lidhet ndërmjet Ministrisë së Financave të Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë Amerikane të Bashkëpunimit për Sigurinë e Mbrojtjes (DSCA), që është institucioni përgjegjës për administrimin e programeve të tilla në nivel ndërkombëtar.
Në dokumentin zyrtar thuhet se është dhënë “miratimi, në parim, i marrëveshjes së huas direkte, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfaqësuar nga Agjencia e Bashkëpunimit për Sigurinë e Mbrojtjes (DSCA), në kuadër të financimit të jashtëm ushtarak (FMF).”
Fondi prej 302 milionë dollarësh do të përdoret për qëllime të mbrojtjes dhe modernizimit të Forcave të Armatosura shqiptare, duke përfshirë investime në pajisje ushtarake, teknologji dhe programe të tjera që synojnë rritjen e kapaciteteve operacionale dhe ndërveprueshmërisë me aleatët e NATO-s.
Programi FMF është një nga instrumentet kryesore të qeverisë amerikane për të mbështetur vendet aleate dhe partnere në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, duke ofruar financime për blerjen e pajisjeve ushtarake amerikane dhe zhvillimin e strukturave mbrojtëse.
Kjo marrëveshje konsiderohet si një hap i rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe në rritjen e sigurisë kombëtare dhe rajonale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



