Shehaj: Mazhoranca po shkel Kushtetutën për të mbrojtur Ballukun
Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka akuzuar ashpër mazhorancën se po shkel Kushtetutën për të mbrojtur zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku, duke bllokuar prej vitesh një interpelancë parlamentare të kërkuar prej tij.
Shehaj deklaroi se, pavarësisht se kërkesa për interpelancë është depozituar që në korrik të vitit 2023, ajo nuk është zhvilluar asnjëherë, në kundërshtim të hapur me detyrimet kushtetuese të qeverisë. Sipas tij, Kushtetuta parashikon qartë se kryeministri dhe ministrat janë të detyruar t’u përgjigjen interpelancave brenda një afati prej tre javësh.
Ai akuzoi mazhorancën se po sillet sikur asgjë nuk ka ndodhur, ndërkohë që ministrja vijon të firmosë vendime dhe kontrata që, sipas opozitës, përfshijnë abuzime me paratë publike. Shehaj e cilësoi situatën si një skandal institucional dhe moral, duke theksuar se mbrojtja politike ndaj Ballukut po bëhet në kurriz të Kushtetutës dhe interesit të qytetarëve.
Sipas tij, kërkesa për interpelancë është injoruar për gati dy vite, ndërsa paralelisht nuk është marrë asnjë masë për pezullimin apo hetimin e ministres, pavarësisht akuzave të ngritura. Shehaj tha se mazhoranca flet për çdo temë tjetër, por shmang debatin thelbësor: mbrojtjen e parave të shqiptarëve nga abuzimi.
Ai kërkoi që t’i jepet fund mbrojtjes politike të Ballukut dhe paralajmëroi se shkelja e Kushtetutës dhe e premtimeve ndaj qytetarëve për ndalimin e korrupsionit nuk mund të kalojë pa pasoja politike.
“A vlen Kushtetuta për ju? Neni 80 thotë që kryeministri dhe ministrat jan ë të detyruar t’i përgjigjen interpelancave brenda 3 javëve. Në korrik të 2023 kam kërkuar një interpelancë me Ballukun, 2 vite. Ku e gjeni kurajën të vini këtu e të bëni sikur s’ka ndodhur gjë. Doni që Balluku të abuzojë me paratë e shqiptarëve e nuk pyesni as për Kushtetutë, as për kërkesën për pezullim dhe arrestimin e saj. Skandal, flisni për gjithçka përveçse si të mbrojmë paratë e shqiptarëve nga abuzuesit. 2 vite injorohet kërkesa për interpelancë, Balluku vijon e firmos aferat e qeverisë. Jepini fund mbrojtjes së Ballukut. Nuk mund të shkelni Kushtetutën dhe premtimin që i keni bërë shqiptarëve që nuk do të vidhni paratë e tyre dhe t’i shpenzoni për spitale,” tha Shehaj.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



