Shembet rruga 260 mln euro e Ballukut, rrezikohet jeta e qytetarëve!
Një tjetër episod alarmant është regjistruar në aksin rrugor Qukës–Qafë Plloçë, një vepër që i ka kushtuar buxhetit të shtetit rreth 260 milionë euro dhe që u promovua me bujë vetëm disa muaj më parë. Rruga, e inauguruar nga ish-ministrja Belinda Balluku – aktualisht nën hetim nga SPAK për disa vepra penale – po kthehet gjithnjë e më shumë në simbol të dështimit dhe pasigurisë.
Vetëm pak javë pas shembjes së një masivi të madh dherash në këtë segment, situata është përsëritur sërish. Këtë herë, një rrëshqitje dheu ka përfunduar mbi një automjet që po qarkullonte në zonë, duke rrezikuar seriozisht jetën e pasagjerëve.
Për fat të mirë, nga incidenti nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa mjeti ka pësuar dëmtime materiale kryesisht në pjesën e përparme. Autoritetet kanë ndërhyrë menjëherë për pastrimin e rrugës dhe po punojnë për rikthimin e qarkullimit normal të mjeteve.
Ky nuk është rasti i parë që ky aks shndërrohet në burim rreziku. Në nëntor të vitit 2024, pranë zonës së tuneleve, u regjistrua një rrëshqitje masive dheu dhe shkëmbinjsh, e nxitur nga reshjet e dendura të shiut. Atëherë, rruga u bllokua plotësisht për disa ditë, duke paralizuar qarkullimin dhe duke detyruar kompaninë kontraktore të ndërtojë një bypass provizor për kalimin e automjeteve.
Rruga Qukës–Qafë Plloçë, e projektuar për të shmangur Prrenjasin, Qafë-Thanën dhe Pogradecin, u hap për qarkullim në shtator pas një odiseje 14-vjeçare ndërtimi. Megjithatë, mjaftuan vetëm pak muaj përdorim që aksi të shfaqte probleme serioze strukturore dhe të dilte praktikisht jashtë funksionit.
Shembjet e përsëritura kanë ngritur dyshime të forta mbi cilësinë e punimeve, ndërsa burime nga terreni theksojnë se studimet gjeologjike kanë qenë të pamjaftueshme ose formale. Një investim kolosal, që në vend të sigurisë dhe zhvillimit, po prodhon rrezik dhe pasiguri për qytetarët.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




