E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Shembet Unaza e poshtme e Burrelit, punimet katastrofale
Lajme

Shembet Unaza e poshtme e Burrelit, punimet katastrofale

Nuk ishte ende në dorëzim nga ARRSH

Unaza e Poshtme e qytetit të Burrelit është aktualisht jashtë funksionit, duke u bërë e pakalueshme jo vetëm për qarkullimin e automjeteve, por edhe për banorët që jetojnë përgjatë saj.

Rruga ka pësuar katër shembje të konsiderueshme, dy prej të cilave kanë dëmtuar plotësisht trupin e karrexhatës. Situata më problematike paraqitet në anën perëndimore të unazës, ku në të paktën dy segmente e gjithë traseja është shembur rëndë, duke e bërë të pamundur kalimin e çdo lloj automjeti.

Si pasojë, një pjesë e madhe e banorëve nuk kanë mundësi të shkojnë me automjete pranë banesave të tyre, ndërsa vijimi i shembjeve ka shtuar rrezikun edhe për shtëpitë që ndodhen pranë rrugës.

Rikonstruksioni i plotë i Unazës së Poshtme të Burrelit është financuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar me një fond prej 128 milionë lekësh të reja dhe ka nisur rreth një vit më parë. Projekti është zbatuar nga kompania “ULZA” sh.p.k, në pronësi të ndërtuesit Ndue Shpani, e cila vetëm në zonën e Matit ka përfituar disa kontrata publike, përfshirë rikonstruksionin e katër shkollave si dhe projektin “Parku Tematik” në Bulqizë.

foto galeri

Edhe pse punimet për këtë unazë u përfunduan vitin e kaluar, rruga nuk u vu kurrë në funksion të plotë, pasi dëmtimet nisën menjëherë pas reshjeve të shiut në tetor të vitit 2025. Aktualisht, objekti mbetet i pakolauduar dhe i pa marrë në dorëzim, çka pritet të sjellë nevojën për financime të tjera nga autoritetet për riparimin e dëmeve.

Kjo rrugë ka qenë prej vitesh problematike sa i përket stabilitetit, pasi që nga viti 2010 ajo ka qenë pothuajse e pakalueshme për mjetet e tonazhit të rëndë. Sipas ekspertëve, zgjidhja afatgjatë kërkon vendosjen e pilotëve në anën e poshtme përgjatë gjithë gjatësisë së unazës, rreth 1 kilometër, për të garantuar qëndrueshmërinë e saj. Ata theksojnë se prania e madhe e ujërave nëntokësore që vijnë nga qyteti i Burrelit e bën të domosdoshme një ndërhyrje të tillë strukturore.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.