Shijak/ Zbardhet dëshmia e djalit të oficerit të Policisë: Më qëlluan përballë me kallashnikov!
Hetimet e deritanishme të Policisë së Durrësit në lidhje me atentatin e ndodhur mesditën e së shtunës në afërsi të Shijakut, nuk kanë dhënë rezultat, duke bërë që grupi i hetimit të mendojë edhe pistën e një ngjarjeje të sajuar për arsye ende të paqarta nga 31-vjeçari.
Si Orlando Paplekaj (objektivi i atentatit të mbetur në tentativë), ashtu edhe babai i tij, kanë hedhur poshtë mundësinë që të kenë konflikte të hapura me persona të tjerë. Grupi i hetimit, që shkoi në vendin e ngjarjes për të kryer veprimet e para dhe për të grumbulluar prova materiale, tha për gazetën se kamionçina nuk është prekur nga asnjë plumb, ndërkohë që në vendin e ngjarjes u gjetën tri gëzhoja arme automatik tip kallashnikov.
“Nëse do të donin të qëllonin mbi objektivin, e kishin shumë të thjeshtë. Ishin vetëm katër pesë metra afër dhe, mbi të gjitha, me këtë afërsi, asnjë plumb nuk e ka goditur kamionçinën. Ai (Papleka) thotë se më bllokuan rrugën dhe më qëlluan drejt, por kjo nuk na rezulton. Ne po hetojmë në disa pista, si: konflikte të tij apo të të atit që punon si polic te burgu. Por si djali, ashtu edhe i ati, thonë se s’kanë konflikte të hapura. Në këto kushte, po hetojmë edhe pistën e tretë: atë të sajimit të ngjarjes për arsye ende të paqarta, por që mund t’i shërbejë këtij individi ndoshta edhe për të kërkuar azil”, thanë burime nga grupi i hetimit.
I RIU RIMERRET NË PYETJE
Policia ka rimarrë në pyetje Orlando Paplekajn, i cili ishte shënjestra e autorëve. Paplekaj ka dëshmuar në Polici se ka qenë duke shpërndarë bombola gazi dhe oksigjeni me kamionçinë, kur një mjet tip “Golf”, pasi e ka ndjekur atë për 10 metra, pasagjeri që ndodhej në automjet, ka nxjerrë armën nga një thes dhe ka qëlluar në drejtim të tij.
Ai thotë se nuk i njeh autorët dhe nuk ka dijeni pse i kanë bërë atentatin.
“Kam qenë duke shpërndarë bombola gazi me kamionçinë, kur një mjet tip ‘Golf’ më ka ndjekur rreth 10 metra dhe pastaj kanë qëlluar. Pasagjeri i mjetit tip ‘Golf’ e ka nxjerrë armën nga një thes dhe ka qëlluar. Nuk i njoh atentatorët, nuk e di pse kanë qëlluar”, mësohet të ketë thënë Paplekaj.
Orlando Paplekaj është me orgjinë nga Tropoja dhe jeton në Durrës prej 13 vitesh, së bashku me familjen, ndërsa babai i tij punon në Burgun e Durrësit. Ai kishte pak kohë që kishte nisur punën e re, atë të shpërndarjes së bombolave të oksigjenit për llogari të një kompanie, ndërsa më herët ka punuar për disa kohë edhe si roje në disa kompani.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



