E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Shisnin kokainë me motorin e ushqimeve, 2 persona në pranga
Lajme

Shisnin kokainë me motorin e ushqimeve, 2 persona në pranga

Një hetim disa-mujor i Policisë së Fierit ka çuar në finalizimin e operacionit antidrogë të koduar “Motoristi”, i cili goditi një veprimtari të dyshuar të shpërndarjes së kokainës në qytetin e Lushnjës.

Në kuadër të këtij operacioni janë arrestuar Eduart Sharka, 31 vjeç, dhe Skerdilajd Gjoni, 39 vjeç, të dy të dyshuar për përfshirje në shitjen e lëndëve narkotike.

Sipas të dhënave të bëra publike nga Policia, 31-vjeçari dyshohet se përdorte motomjetin me të cilin ushtronte aktivitetin e shpërndarjes së porosive ushqimore edhe për të lëvizur dhe shpërndarë doza kokaine në zona të ndryshme të Lushnjës.

Në vijim të veprimeve hetimore, policia ka ushtruar kontrolle në banesat e dy të arrestuarve, ku janë gjetur dhe sekuestruar rreth 320 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë. Në cilësinë e provave materiale janë marrë gjithashtu një peshore elektronike, municion për armë zjarri, një grirëse e dyshuar për përdorim me lëndë narkotike dhe gjashtë telefona celularë.

Gjatë kontrollit në banesën e Eduart Sharkës janë gjetur 318 gramë lëndë e dyshuar si kokainë, një peshore elektronike, fishekë, grirësja dhe tre telefona celularë.

Ndërkohë, në banesën e Skerdilajd Gjonit është sekuestruar një tjetër sasi e lëndës së dyshuar narkotike, së bashku me tre aparate celularë.

Operacioni është zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, pas një periudhe hetimesh mbi aktivitetin e dyshuar të shpërndarjes së drogës.

Pas arrestimeve, grupi hetimor po vijon punën për të zbardhur plotësisht mënyrën e funksionimit të aktivitetit të dyshuar kriminal, si dhe për të verifikuar nëse persona të tjerë kanë pasur rol në këtë veprimtari.

Materialet procedurale lidhur me rastin i janë përcjellë Prokurorisë, e cila do të vijojë procedurat e mëtejshme ligjore.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.