Shkarkimi i Alban Dokushit, Anuela Ristani ‘zbarkon’ në Prokurori
Ish-zv/kryetarja e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, është paraqitur në Prokurorinë e Tiranës, ku ka dhënë shpjegime lidhur me procedurën e ndjekur për shkarkimin e ish-Sekretarit të Përgjithshëm të Bashkisë, Alban Dokushi.
Ristani është pyetur në kuadër të hetimit të nisur nga organi i akuzës për rrethanat dhe procedurat që shoqëruan largimin e Dokushit nga detyra.
Çështja lidhet me një përplasje institucionale që nisi pas ndryshimeve në drejtimin e Bashkisë së Tiranës dhe përfundoi edhe në dyert e gjykatës. Alban Dokushi, i cili ishte shkarkuar nga detyra, iu drejtua gjykatës duke kundërshtuar vendimin e largimit.
Gjykata Administrative e konsideroi të paligjshëm shkarkimin e tij dhe vendosi rikthimin në funksionin e Sekretarit të Përgjithshëm të Bashkisë së Tiranës. Vendimi më pas u la në fuqi edhe nga Gjykata Administrative e Apelit, duke i hapur rrugë rikthimit të tij në detyrë.
Në këtë kuadër, Prokuroria e Tiranës po verifikon mënyrën se si është marrë vendimi për shkarkimin e Dokushit, ndërsa dëshmia e Anuela Ristanit pritet të jetë pjesë e materialeve të administruara gjatë hetimit.
Ristani ka qenë në qendër të zhvillimeve në Bashkinë e Tiranës gjatë periudhës kur ajo ushtronte funksionin e kryetares së deleguar dhe më pas atë të ish-zv/kryetares së institucionit.
Në fokusin e hetimit janë rrethanat konkrete të largimit të Dokushit, si dhe veprimet administrative të ndërmarra në atë periudhë. Përfundimi i verifikimeve do të përcaktojë nëse ka pasur shkelje ligjore në procesin që çoi në shkarkimin e tij.
Ndërkohë, rikthimi i Alban Dokushit në detyrë është tashmë i mbështetur në vendimet e gjykatave administrative, të cilat kanë rrëzuar vendimin e largimit të tij nga Bashkia e Tiranës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



