Rama e mbylli në qeli, por Erion Veliaj nuk dorëzohet as nga burgu
Shkarkimi i Anuela Ristanit nuk është një procedurë administrative. Është goditja e parë politike që Erion Veliaj i jep Edi Ramës nga qelia dhe prova se lufta për kontrollin e Bashkisë së Tiranës nuk ka përfunduar.
Erion Veliaj është në burg, por politikisht nuk ka firmosur kapitullimin. Edi Rama e largoi nga skena, i mori administratën, shpërndau njerëzit e tij dhe vendosi në bashki një strukturë të re komandimi. Megjithatë, kryebashkiaku po tregon se ende zotëron një armë: mandatin që Gjykata Kushtetuese ia njohu si të vlefshëm.
Shkarkimi i Anuela Ristanit duhet lexuar pikërisht në këtë prizëm. Veliaj nuk largoi thjesht një drejtuese të përkohshme. Ai rrëzoi mëkëmbësen që Rama kishte vendosur në Bashkinë e Tiranës dhe zhvlerësoi publikisht skemën e kontrollit të ngritur gjatë mungesës së tij.
Një vendim që rrëzon autoritetin e Ramës
Një vit më parë, Edi Rama veproi në Bashkinë e Tiranës sikur mandati i Veliajt të kishte përfunduar. Të besuarit e kryebashkiakut u larguan, zinxhiri administrativ u ndryshua dhe Anuela Ristani u vendos në krye të bashkisë si autoriteti real i deleguar nga qeveria.
Tani Veliaj, nga burgu, e ka bërë nul këtë vendim.
Këtu qëndron pesha politike e ngjarjes. Kryeministri kishte ndërtuar perceptimin se kapitulli Veliaj ishte mbyllur. Shkarkimi i Ristanit provoi se, juridikisht dhe administrativisht, kryebashkiaku vazhdon të ketë mundësi të ndërhyjë.
Rama mund ta ketë izoluar fizikisht dhe politikisht, por ende nuk ia ka marrë mandatin.
Heshtja që zbulon përplasjen
Reagimi i Agjencisë për Media dhe Informim ishte përpjekje për ta trajtuar ngjarjen si çështje burokratike. Por MIA nuk ka as kompetencë dhe as përgjegjësi politike për vendimet e Bashkisë së Tiranës.
Për shkarkimin duhej të fliste Edi Rama. Në mungesë të tij, duhej të reagonte Ogerta Manastirliu, drejtuesja politike e socialistëve të Tiranës.
Asnjëri nuk foli.
Kjo heshtje nuk e zvogëlon konfliktin. Përkundrazi, tregon se çdo përgjigje do ta nxirrte hapur përplasjen mes kryeministrit dhe kryebashkiakut që pushteti e konsideronte të përfunduar.
Nëse Rama e kundërshton Veliajn, pranon se po përballet me të. Nëse e pranon vendimin, konfirmon se kontrolli i tij mbi bashkinë mund të rrëzohet me një firmë nga qelia.
Partia që nuk vendos më
Në një parti normale, një konflikt i tillë do të diskutohej në forumet drejtuese. Në Partinë Socialiste, forumet prej kohësh janë kthyer në struktura formale.
Vendimet merren nga kryetari dhe zbatohen nga drejtuesit politikë të qarqeve. Deputetët, organizatat dhe anëtarësia njoftohen pasi gjithçka është vendosur.
Kjo mënyrë drejtimi funksionon për aq kohë sa piramida bindet. Problemi fillon kur disa kate të saj nuk pranojnë më urdhra ose veprojnë sipas interesave të tyre.
Në Tiranë, Ogerta Manastirliu ka postin, por jo kontrollin e plotë të strukturave. Në bashkitë e tjera të qarkut, Taulant Balla ka ndërtuar mekanizmin e tij. Në bazë vazhdojnë të ekzistojnë njerëzit e Veliajt, ndikimi i Erion Braçes, interesat e deputetëve dhe grupet e vjetra të Partisë Socialiste.
Ky nuk është unitet. Është bashkëjetesë e detyruar mes disa qendrave rivale.
Veliaj është i dobët, por mund të bëhet i rrezikshëm
Erion Veliaj ndodhet në pozitën më të dobët të karrierës së tij. Është në paraburgim, përballet me një proces penal që mund të zgjasë dhe rikthimi i tij normal në drejtimin e bashkisë duket sot pothuajse utopik.
Por dobësia personale nuk do të thotë domosdoshmërisht mungesë ndikimi.
Veliaj ka ende njerëz në administratë, lidhje në strukturat socialiste, marrëdhënie të ndërtuara gjatë viteve dhe mundësinë për të përdorur mandatin si mjet politik. Ai nuk ka fuqinë për ta rrëzuar Ramën, por mund t’ia komplikojë kontrollin mbi Tiranën.
Në një strukturë të stabilizuar, ky ndikim do të ishte i kufizuar. Në një parti të përçarë në klane, çdo firmë, shkarkim ose mesazh nga burgu mund të shërbejë si pikë grumbullimi për të pakënaqurit.
Veliaj nuk ka nevojë ta fitojë luftën. I mjafton të tregojë se Rama nuk e ka fituar plotësisht.
Erion Braçe dhe çarja tjetër
Lëvizja e Veliajt erdhi menjëherë pasi Erion Braçe shpalli ambicien për të kandiduar për kryetar të Bashkisë së Tiranës dhe kërkoi garë brenda Partisë Socialiste.
Braçe nuk zotëron një strukturë të konsoliduar në kryeqytet. Ka, megjithatë, ishuj ndikimi dhe një mbështetje të dallueshme në anëtarësi. Votat preferenciale të vitit 2025 tregojnë popullaritet elektoral, por nuk provojnë kontroll organizativ.
Shembulli i Blendi Gonxhes e shpjegon diferencën: mund të marrësh shumë vota dhe të mos kontrollosh asnjë organizatë partie.
Megjithatë, deklarata e Braçes ka rëndësi sepse sfidon rregullin themelor të Ramës: kandidati nuk duhet të dalë nga gara, por nga emërimi. Kërkesa për konkurrim është revoltë ndaj vetë mënyrës se si drejtohet PS-ja.
Veliaj sfidoi kontrollin e Ramës mbi bashkinë. Braçe sfidoi monopolin e Ramës mbi kandidaturën. Të dyja lëvizjet godasin të njëjtën pikë.
Një kandidat jashtë PS-së?
Në këtë klimë kanë dalë edhe zërat se Rama po kërkon një kandidat për Tiranën jashtë Partisë Socialiste. Flitet për një ish-demokrat ose për një figurë publike që mund të paraqitet si kandidaturë mbi palët, si Arbër Hajdari.
Nëse kjo ndodh, nuk do të jetë shenjë hapjeje. Do të jetë pranim se kryeministri nuk i beson më strukturës së vet për të prodhuar një kandidat pa shkaktuar përplasje të brendshme.
Një kandidat i jashtëm mund të shmangë përkohësisht luftën mes klaneve, por nuk e zgjidh krizën. Ai vetëm e shtyn atë.
Çorganizimi nuk është vetëm në Tiranë
E njëjta sëmundje është shfaqur edhe në qarqe të tjera.
Vlora prej kohësh funksionon përmes ekuilibrave të brishtë mes grupeve të vjetra dhe të emëruarve të rinj. Në Korçë, një pjesë e strukturave kundërshton dominimin shumëvjeçar të Niko Peleshit. Eksperimentet me drejtues të sjellë nga lart kanë prodhuar më shumë rezistencë sesa bashkim.
Për këtë arsye Rama është detyruar të rikthehet te faktorët tradicionalë dhe të negociojë me njerëz që më parë kërkoi t’i nxirrte në pension politik. Përmendja e Gramoz Ruçit dhe e figurave të tjera të vjetra nuk është nostalgji. Është tregues i mungesës së kontrollit të qëndrueshëm në bazë.
Rama e ndërtoi këtë krizë
Për vite me radhë, Edi Rama e zëvendësoi partinë me një piramidë emërimesh. Strukturat u dobësuan, debatet u zhdukën dhe kandidatët filluan të caktoheshin pa garë. Besnikëria ndaj kryetarit u bë më e rëndësishme se përfaqësimi politik.
Ky sistem funksionon kur kryetari është i pakontestueshëm dhe të gjithë presin prej tij poste, mandate ose mbrojtje. Por kur nisin goditjet penale, përplasjet mes grupeve dhe pasiguria për të ardhmen, piramida nuk prodhon më bindje. Prodhon frikë, sabotim dhe llogari personale.
Shkarkimi i Anuela Ristanit nuk është fundi i kontrollit të Ramës mbi Tiranën. As Veliaj dhe as Braçe nuk kanë sot fuqinë për ta mundur atë.
Por ngjarja provoi diçka tjetër: sistemi nuk është më i qetë dhe kundërshtarët e kryeministrit nuk ndodhen vetëm në opozitë.
Njëri prej tyre është në burg, por vazhdon të firmosë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


