Shkruhet historia, Shqipëria siguron play off-in e Botërorit
Kombëtarja shqiptare arriti objektivin në transfertën ndaj Andorrës: një fitore me shumë mund, por me vlerë të jashtëzakonshme. Tri pikët e marra e lënë pas përfundimisht Serbinë dhe vulosin matematikisht pjesëmarrjen në fazën “play off” të Botërorit që do të zhvillohet verën e ardhshme në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Edhe pse rruga nuk mbaron këtu – duhen fituar edhe dy ndeshje të tjera vendimtare – kuqezinjtë tashmë e kanë siguruar vendin e dytë në grup dhe vazhdojnë të ëndërrojnë më tej.
Pjesa e parë ishte në kontroll të Shqipërisë, por pa efikasitet. Loja dominohej në posedim, por rastet e pastra mungonin. Asllani provoi me një goditje dënimi në minutën e 18-të, ndërsa kapiteni Gjimshiti ishte më afër golit kur gjuajti me kokë pas një goditjeje këndi, por topi u përplas në traversë. 45 minutat e para u mbyllën me rezultatin e bardhë 0-0.
Në fraksionin e dytë, gjithçka ndryshoi. Në minutën e 67-të, Bajrami dhe Uzuni, sapo futur në fushë, ndërtuan një aksion të shkëlqyer që u konkretizua në mënyrë perfekte nga Kristjan Asllani, duke zhbllokuar sfidën.
Pas golit, djemtë e Sylvinhos menaxhuan me qetësi dhe maturi pjesën e mbetur të lojës, duke ruajtur rezultatin deri në fund.
Me këtë fitore historike, Shqipëria siguron për herë të parë vendin e dytë në një grup eliminator të Kupës së Botës, një arritje që u përforcua edhe nga suksesi i Anglisë ndaj Serbisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



