Veliaj thumbon Ramën nga qelia: Protestat studentore i japin fund “një bote”
Rezultatet e zgjedhjeve parlamentare në Serbi dhe zhvillimet e fundit politike në rajon kanë nxitur reagimin e Erion Veliajt, i cili, përmes një mesazhi në rrjetet sociale, ka përgëzuar studentët serbë dhe ka përcjellë një mesazh për klasën politike mbi nevojën për t’iu përgjigjur kërkesave të brezit të ri.
Nga qelia, ku ndodhet në pritje të zhvillimeve të çështjes së tij, Veliaj ka komentuar rezultatin e forcave studentore në Serbi, duke e cilësuar atë si një goditje ndaj modelit politik të presidentit Aleksandar Vuçiç. Reagimi merr një domethënie të veçantë në një kohë kur edhe Shqipëria po përjeton protesta studentore, me kërkesa që kanë vënë në qendër të debatit qeverinë e Edi Ramës.
Edhe pse nuk e përmend drejtpërdrejt kryeministrin shqiptar, mesazhi i Veliajt për ndryshimet që kërkon gjenerata e re mund të interpretohet si një thirrje më e gjerë për politikën shqiptare, e cila po përballet me pakënaqësinë e studentëve dhe të rinjve.
Në reagimin e tij, Veliaj ka përshëndetur studentët serbë për rezultatin e arritur, duke iu referuar Vuçiçit me tone të ashpra.
“Urime studentëve për rrëzimin e makiavelistit dhe populistit të Beogradit!”, shkruan ai.
Më tej, Veliaj e lidh zhvillimin politik në Serbi me rolin që mund të luajnë lëvizjet studentore në ndryshimin e realiteteve politike. Sipas tij, protestat e të rinjve nuk duhet të shihen si një kërcënim për rendin ekzistues, por si shenjë se një model i vjetër po përballet me kërkesa të reja.
“Lëvizjet dhe protestat studentore nuk janë ‘fundi i botës’, por fundi i ‘një bote’. Sa më shpejt ta kuptojmë këtë si qytetarë e politikëbërës, aq më mirë do të dimë t’u përgjigjemi nevojave dhe pritshmërive të kësaj gjenerate”, shprehet Veliaj.
Deklarata vjen në një moment delikat për qeverinë shqiptare, ndërsa protestat studentore kanë vijuar me kërkesa dhe kundërshtime ndaj mënyrës se si institucionet po reagojnë ndaj pakënaqësisë së të rinjve. Në këtë kontekst, fjalët e Veliajt marrin peshë politike, edhe pse ai nuk ka bërë një referencë të drejtpërdrejtë ndaj zhvillimeve në Tiranë.
Përveç studentëve, Veliaj ka komentuar edhe përfaqësimin politik të shqiptarëve në Serbi. Ai ka përshëndetur projeksionet që parashikojnë rritjen e numrit të mandateve të tyre parlamentare nga një në dy, duke e cilësuar këtë si një mundësi për të forcuar zërin e komunitetit shqiptar dhe për të mbrojtur më mirë të drejtat e tij.
“Urime të përzemërta edhe shqiptarëve tanë në Serbi, të cilët, sipas projeksionit aktual, e rrisin përfaqësimin e tyre nga një në dy mandate. Një zë më i fortë për të drejtat e shqiptarëve në Serbi!”, përfundon ai.
Mesazhi i Veliajt vjen në një periudhë kur lëvizjet studentore po sfidojnë hapur autoritetet politike në rajon. Referenca e tij ndaj “fundit të një bote” rikthen në vëmendje dilemën me të cilën përballen qeveritë: nëse do t’i trajtojnë protestat si një problem për t’u menaxhuar apo si një sinjal se pritshmëritë e brezit të ri kërkojnë përgjigje konkrete.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



