“Shoku” i Shpëtim Gjikës “gllabëron” lejen e radhës për kullë në Vlorë
Vizioni i betonit: Kullë 24 kate cilindër dhe piramidë 12 kate
Nga njëra anë e gjithë qeveria është udhëzuar që të tregojë kujdes në reagimet për protestën e “flamingove” dhe nga ana tjetër të njëjtët zyrtarë vijojnë të japin dhe zbardhin leje të stërmëdha ndërtimi në zonat bregdetare në Vlorë. Kësaj herë duket mjaft mirë vizioni i qeverisë për mënyrën se si ta zhvillojnë bregdetin; një objekt 24 katësh cilindër dhe një piramidë 12 kate.
Praktikisht një masiv i stërmadh betoni ngjitur me detin në Vlorë, në atë që e ka cilësuar qeveria si kryeqendrën e turizmit, e cila dalëngadalë po betonohet e gjitha, nga Zvërneci, Vlora, Uji Ftohtë, Radhima dhe Orikumi. Në gjithë këtë gjatësi janë dhënë leje për kulla që shkojnë deri në 30 kate, ndërkohë që janë miratuar leje zhvillimi dhe leje ndërtimi për Vlora Marina, Marina e Orikumit apo ndërtime në det!

Dokumentet e hulumtuara nga Vox News tregojnë në fakt realitetin e asaj që po ndodh në Vlorë, me ndërtime të çuditshme, cilindrike, piramidë, në formën e gjetheve, etj. Një vizion kaotik për atë që e pret Vlorën në vitet e ardhshme, teksa përfitues të lejeve janë personazhe të njohura, por edhe të panjohur që kanë lidhje me mazhorancën.
Javët e fundit qeveria ka zbardhur një tjetër leje mjaft të dyshimtë që bën fjalë për kompleksin Salterra. KKTU ka vendosur “miratimin me kusht të lejes së ndërtimit për objektin kompleks Salterra, objekt hotelier 12 kate mbi tokë dhe objekt rezidencial dhe shërbimi 24 kate mbi tokë dhe 3 kate nëntokë, me vendndodhje në Bashkinë Vlorë, me subjekt zhvillues shoqërinë “TURI & M.Z.B”.


Vox News ka shfletuar dokumentet e kësaj leje, e cila i është dhënë firmës që operon në Vlorë, teksa javët e fundit ka përmbushur edhe pagesën e taksës së ndikimit në infrastrukturë për llogari të Bashkisë Vlorë. Fotot e projektit janë mjaft të qarta në këtë leje, ku duket cilindri dhe piramida, në një zonë ngjitur me detin në Vlorë. Cilindri dhe piramida do të bashkëjetojnë në një truall prej 12 mijë e 500 metra, ndërkohë ajo që të vret sytë është pikërisht lartësia, ngjitur me detin.
Kush do ti ndërtojë ato kulla? Vox News ka mësuar se firma që ka marrë lejen është “TURI & M.Z.B”. Ajo ka pasur si pronar Artur Haxhin, emri i të cilit del edhe te dosja e arrestimit të ish kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika.
Ndërkohë, ditët e fundit, përkatësisht më 28 maj 2026, Artur Haxhi i dhuron aksionet Matilda Haxhit, në një transaksion tepër të dyshimtë, duke qenë se vetë Arturi ka qenë i arrestuar bashkë me Gjikën dhe më vonë i proceduar penalisht për ndërtime pa leje në objekte të tjera.
Para se të bëhej ky transaksion, firma që ka marrë lejen për cilindrin dhe piramidën, i ka vënë aksionet kolateral për të marrë një kredi në bankë.
Në muajin shkurt të vitit 2015, Prokuroria e Përgjithshme doli me një njoftim zyrtar, për ekzekutimin e një vendimi të gjykatës që kishte dhënë masat e arrestit me burg për Shpëtim Gjikën, Artur Haxhin dhe të tjerë.
“Gjykata ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg edhe për shtetasin Artur Haxhi, administrator i shoqërisë së ndërtimit Turi&M.Z.B, i dyshuar për konsumimin e veprave penale falsifikim i dokumentave, në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, ndërtim i paligjshëm dhe mashtrimi”, thuhej në njoftim.
Gjika dhe vartësit e tij kanë falsifikuar dokumentet, duke i futur këtij subjekti një leje ndërtimi pa u miratuar më parë nga KRRT e Bashkisë Vlorë. “Në mbledhjen e KRRT-së së Bashkisë Vlorë të datës 17.01.2011, duke u nisur nga përmbajtja e protokollit të kësaj mbledhje, nuk rezulton që të jetë marrë në shqyrtim ndonjë kërkesë për shesh ndërtimi apo për leje ndërtimi nga pronarët e truallit të mësipërm apo nga subjekti ndërtues, si dhe nuk rezulton që të jetë miratuar shesh ndërtimi dhe lejë ndërtimi në favor të pronarëve të truallit dhe subjektit ndërtues të mësipërm” vijonte akuza.
Sipas saj, dokumentat me përmbajtje të falsifikuar janë përdorur nga administratori dhe përfaqësuesi ligjor i shoqërisë “Turi&M.Z.B” sh.p.k, shtetasi Artur Haxhi, me qëllim për të justifikuar kryerjen e ndërtimit si dhe për të regjistruar objektin e ndërtuar në Z.Rr.P.P Vlorë. Rezulton se ndërtimi është kryer pjesërisht edhe në truall me pronësi shtet apo në pronësi të personave të tjerë.
“Mbi bazën e këtyre dokumentave me përmbajtje të falsifikuar është kryer ndërtimi i objektit godinë banimi dhe shërbime me 11 kate dhe se për ndërtimin e këtij objekti është lëshuar leja e përdorimit dhe dokumentacioni është dërguar për tu regjistruar pronësia e objektit në Z.Rr.P.P Vlorë”, do të deklaronte akuza qendrore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



