Shpërndanin drogë pranë shkollave, 14 të arrestuar, 5 në kërkim
Goditet një grup i strukturuar kriminal që operonte në shpërndarjen e lëndëve narkotike në zona të ndryshme të Tiranës, kryesisht pranë shkollave 9-vjeçare dhe të mesme.
Në kuadër të operacionit të koduar “Segmenti”, Policia e Shtetit ka ekzekutuar masën e sigurisë “arrest në burg” për 14 shtetas dhe “arrest në shtëpi” për 1 shtetase, të gjithë të dyshuar si pjesëtarë të këtij grupi kriminal. Ndërkohë, janë shpallur në kërkim edhe 5 shtetas të tjerë, për të cilët vijon puna për lokalizimin dhe kapjen.
Gjatë operacionit është arrestuar në flagrancë edhe një shtetas tjetër, i cili u kap me armë zjarri pistoletë, ndërsa janë zbuluar gjithashtu ambiente të përshtatura për organizimin e lojërave të paligjshme të fatit.
Në total, gjatë kontrolleve të ushtruara, janë sekuestruar 220 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë, pjesërisht e ndarë në doza, qindra doza cannabis sativa të gatshme për shitje, 1 armë zjarri pistoletë me municion, 2 tavolina pokeri, fisha dhe çipsa për lojëra fati, si dhe 2 300 000 lekë të rinj, që dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti i paligjshëm.
Operacioni është finalizuar pas një hetimi të gjatë të kryer me metoda speciale nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë.
Në zbatim të vendimeve të Gjykatës, masa e sigurisë “arrest në burg” është caktuar për shtetasit: G. Gj., 41 vjeç; A. H., 39 vjeç; K. M., 25 vjeç; K. K., 22 vjeç; P. K., 35 vjeç; A. M., 51 vjeç; A. C., 33 vjeç; R. Q., 31 vjeç; R. M., 32 vjeç; E. Sh., 43 vjeç; S. Z., 32 vjeç; A. H., 27 vjeç; A. C., 22 vjeç dhe G. M., 28 vjeç. Ndërsa masa “arrest në shtëpi” është caktuar për shtetasen F. Gj., 38 vjeçe.
Gjithashtu, janë shpallur në kërkim shtetasit: M. Gj., 34 vjeç; O. N., 30 vjeç; E. A., 24 vjeç; E. S., 19 vjeç dhe K. S., 41 vjeç.
Gjatë operacionit është arrestuar në flagrancë shtetasi A. M., 22 vjeç, të cilit iu sekuestrua një armë zjarri pistoletë me municion.
Nga hetimet e deritanishme është dokumentuar me prova ligjore se anëtarët e këtij grupi, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ushtronin aktivitetin e shitjes së lëndëve narkotike në zona të ndryshme të kryeqytetit, duke targetuar kryesisht hapësirat pranë institucioneve arsimore 9-vjeçare dhe të mesme.
Ky operacion është rezultat i një hetimi të shtrirë në kohë, gjatë të cilit në faza të mëparshme janë finalizuar edhe disa operacione të tjera policore, me arrestimin e 7 shtetasve të përfshirë në këtë rrjet kriminal dhe sekuestrimin e sasive të konsiderueshme të drogës.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për vijimin e mëtejshëm të veprimeve ligjore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



