Shisnin drogë pranë shkollave në Tiranë, 3 persona në pranga
Shisni
Policia e Tiranës ka vijuar operacionet kundër shpërndarjes së lëndëve narkotike në kryeqytet, me fokus të veçantë edhe zonat pranë institucioneve arsimore.
Në kuadër të hetimeve për aktivitetin e grupeve që dyshohet se merreshin me shpërndarjen e drogës, autoritetet kanë ekzekutuar masat e sigurisë ndaj tre personave të shpallur në kërkim.
Në pranga kanë rënë Marjo Cene, Mit’hat Koçi dhe Kostandinos Doko, për të cilët gjykata kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”.
Tre personat dyshohen për kryerjen e veprës penale “Prodhim dhe shitje narkotikësh”. Ata ishin shpallur në kërkim pas një operacioni të zhvilluar nga strukturat e Policisë së Tiranës gjatë ditëve të fundit.
Operacioni synoi disa grupe të dyshuara për shpërndarje të lëndëve narkotike në zona të ndryshme të kryeqytetit. Sipas hetimeve, aktiviteti i këtyre grupeve shtrihej në disa pika të Tiranës, ndërsa një prej problematikave të evidentuara lidhet edhe me praninë e aktivitetit të paligjshëm pranë ambienteve shkollore.
Me arrestimin e Cenes, Koçit dhe Dokos, policia ka vijuar ekzekutimin e masave të sigurisë të vendosura në kuadër të këtij hetimi, ndërsa procedurat ligjore ndaj tyre do të vijojnë në organet e drejtësisë.
Shënim: Për personat e arrestuar vlejnë parimet e prezumimit të pafajësisë deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



