‘Shpërthen’ Braçe: Qeveria të jetë me këmbë në tokë, jo në ajër
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka folur hapur për marrëdhënien e tij aktuale me kryeministrin Edi Rama, ku deklaroi se prej kohësh nuk komunikon me kreun e PS-së.
Sipas Braçes, “krisja” erdhi pas vendimit të Ramës për shkarkimin e Erion Veliajt në Këshillin Bashkiak të Tiranës dhe caktimin e datës së zgjedhjeve për kryeqytetin. Ai theksoi se ka qenë kundër këtij vendimi dhe se Gjykata Kushtetuese, me vendimin e saj të fundit, i ka dhënë të drejtë.
“Jam i prirur drejt ekuilibrit, por kur kam të drejtë, nuk e negocioj me askënd. Thashë publikisht që duhej pritur vendimi i Kushtetueses për çështjen Veliaj dhe shpalljen e zgjedhjeve. Sot rezulton se paskam pasur të drejtë,” – u shpreh Braçe.
“Nuk flasim me kryeministrin”
Gazetarja Nisida Tufa e pyeti drejtpërdrejt për marrëdhënien me kryeministrin:
– Nisida Tufa: “Si është raporti juaj me Edi Ramën? Herën e fundit thatë: 5 ditë flasim, 5 muaj jo.”
– Erion Braçe: “Jo, tani nuk flasim. Mendoj se duhet një pauzë që secili të reflektojë. Kjo është një marrëdhënie politike, pune dhe njerëzore. Kam kufijtë e mi dhe nuk dua të më cenohen.”
Braçe nënvizoi se nuk ka folur publikisht pas vendimit të Kushtetueses, por qëndrimin e tij e konsideron të drejtë dhe të argumentuar.
“Ka ministra që vegjetojnë, qeveria duhet sjellë me këmbë në tokë”
Deputeti socialist, i njohur për tonin kritik edhe ndaj strukturave të veta, komentoi edhe performancën e disa ministrave të kabinetit:
“Ka ministra që vegjetojnë. Është detyrë t’i vëmë përballë pasqyrës dhe t’u themi: ‘Ej, lëvizi!’ Qytetarët nuk duan t’ia dinë nëse ti je mirë me qeverinë apo ke ndonjë merak personal; duan zgjidhje të problemeve.”
I pyetur në emisionin “Kjo javë”, nëse këto kritika janë strategji për të tërhequr vëmendje, Braçe u përgjigj prerë:
“Pse të mos bëhet? Qeveria duhet të jetë me këmbë në tokë, jo me krahë në ajër. Kur shoh që krahët janë në ajër për t’u shkëputur nga realiteti, do ta them. E kam detyrim ndaj qytetarëve.”
Kritika të forta për buxhetin dhe performancën e ministrive
Braçe solli shembuj konkretë nga Komisioni i Ekonomisë:
“Buxheti faktik i 2024-s kishte 43 milionë lekë shpenzime të parealizuara. Sot kemi 45 miliardë lekë suficit dhe 62 miliardë lekë të pashpenzuara, pa llogaritur 1.1 miliard euro të pashfrytëzuara. Nëse ministrat nuk i përdorin paratë e buxhetit, çfarë bëjnë? Janë në gjumë.”
Ai shtoi se qeveria ka ministra të rinj që u zëvendësuan me të drejtë, por sipas tij nuk shihen rezultate të prekshme:
“Kur nuk funksionon rishpërndarja e fondeve, për çfarë rri si ministër? Buxheti nuk ka vetëm arkëtim, por edhe shpenzim. Dhe shpenzimi është shërbim ndaj qytetarëve.”
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



