Shpërthen Erion Braçe: Kush nuk shpenzon paratë, të largohet!
Në seancën plenare, deputeti socialist Erion Braçe mbajti një fjalim kritik ndaj disa ministrave dhe drejtuesve të institucioneve, duke vënë theksin te mënyra se si menaxhohen fondet publike dhe te kontratat koncesionare që përfundojnë brenda këtij viti.
Ai u shpreh se çdo zyrtar, pavarësisht funksionit, duhet të mbajë përgjegjësi për realizimin e plotë të shpenzimeve të planifikuara në buxhet. Sipas tij, mosshfrytëzimi i fondeve të parashikuara përbën rrezikun më të madh për financat publike.
Braçe theksoi se zyrtarët që nuk arrijnë të përmbushin këtë detyrim nuk duhet të vazhdojnë detyrën:
“Nëse dikush nuk arrin të përdorë fondet e miratuara në buxhet, qoftë ministër, zv.ministër apo drejtues institucioni, nuk mund të jetë përgjegjës për administrimin e parave të shtetit,” deklaroi ai.
Deputeti kërkoi gjithashtu që tre koncesionet, të cilave u mbyllet kontrata gjatë këtij viti, t’i rikthehen shtetit si shërbime publike, duke mbyllur njëherë e mirë ciklin e marrëveshjeve të trashëguara.
Në fjalën e tij, Braçe u ndal edhe te skema e rimbursimit të ilaçeve, për të cilën ngriti shqetësimin se është nën presion dhe abuzim nga individë që synojnë përfitime të paligjshme. Ai kërkoi rishikim të thellë të saj dhe largimin e çdo personi që abuzon me fondet e shëndetësisë.
Po ashtu, Braçe vuri theksin edhe te bujqësia, duke theksuar se sektorit i nevojitet një skemë e re mbështetjeje dhe se zbatimi i TVSH-së në këtë fushë vazhdon të mbetet problematik.
Në përfundim, ai përsëriti se mosrealizimi i shpenzimeve buxhetore është një çështje që prek jo vetëm ministrin përgjegjës, por të gjithë qeverinë, duke nënvizuar nevojën për përgjegjësi të plotë në menaxhimin e parave publike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



