Shpërthen Erion Braçe: Problemet e fermerëve nuk merren seriozisht
Këtë të martë, Komisioni i Ekonomisë ka mbledhur grupe të ndryshme interesi për të diskutuar mbi paketën fiskale, ku prodhuesit vendas kanë ngritur problematika të shumta lidhur me sektorin e blegtorisë dhe tregtimin e produkteve të qumështit.
Gentjan Lalaj, përfaqësues i shoqatës së blegtorëve, theksoi disa nga sfidat më të mëdha që përballen fermerët shqiptarë dhe kërkoi vendosjen e një barazimi të TVSH-së, duke u mundësuar blegtorëve vendas që të shesin prodhimet e tyre pa pengesa administrative.
“Është një paradoks, u kërkua qumësht nga Italia në vendin tonë, dhe ne nuk e shisnim dot se nuk na lejohet të krijojmë një kooperativë. Atëherë dhe ne po e çojmë qumështin jashtë. Ka ferma që nuk u merret qumështi për arsyet që i dimë shumë mirë. Kërkojmë barazim TVSH sado të vendoset. Fermerët shqiptarë nuk na i shesin dot produktet sepse dhe ne nuk i blejmë dot sepse ne nuk na njihet TVSH në sistem, dhe detyrohemi dhe blejmë misër dhe elb serb, produkte që vijnë nga rajoni dhe nuk ua bëjmë dot komshinjve tanë që luten që t’ua blejmë me një çmim mizerabël”, tha ai.
Lalaj shtoi se bashkimi i fermerëve përmes kooperativave aktualisht duket i pamundur. “Bashkimin e fermerëve e shikojmë si diçka të parealizueshme, sot nuk po bëhet vëllai me vëllanë, dhe jo 7 blegtorë. Ne e kemi thënë dhe në ministrinë e bujqësisë…. është e pamundur të bësh blegtorët apo fermerët bashkë. Dhe nëse bëhet, nuk do të ecë gjatë sepse nuk po gjendet rrugët e bashkëpunimit nëpër borde. Nuk funksionon kooperativa në blegtori, të paktën për momentin, sepse ka shumë humbje dhe firo që nuk i tregon dot se ku kanë ndodhur”, theksoi ai.
Ndërkohë, deputeti i PS Erion Braçe mbështeti kërkesat e Lalajt, duke rikujtuar se problematika të ngjashme janë ngritur edhe më parë, por nuk kanë marrë vëmendjen e duhur nga ministria e Bujqësisë dhe ajo e Ekonomisë.
“Propozimet e zotërisë nuk janë për herë të parë, ka vite që i bën, i kanë dëgjuar dhe ministrat. Problemi është që koha ikën, dhe koha për ta është një lopë që kalon moshën, që nuk prodhon më shumë, një fermë që digjet, përmbytet e kështu me radhë. Të gjitha propozimet që bëri dhe i ka bërë kohë pas kohe, nuk kanë kosto për buxhetin e shtetit, janë rregullime në atë që kemi sot pa shtuar asnjë lek kosto. Kjo histori që ministria thotë që do e bëjmë kështu siç themi ne, ka sjellë këtë gjendje. Ka dy muaj në detyrë ministri i bujqësisë, mund të reflektonte, por tha që ‘jam i kënaqur’. Ministri i financave i ka dëgjuar këto problematika. Përfaqësuesi i dhomës së tregtisë, siç koordinojnë çmimin koordinojnë dhe sjelljen, dhe e kuptoj pse nuk kanë ardhur sot këtu”, tha Braçe.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



