“Shpërthen” Shehaj: Po mbroni Belindën, arrestoni Arben Kolën
Kreu i Partisë Mundësi, Agron Shehaj, ka reaguar me tone të ashpra nga foltorja e Kuvendit pas ndërhyrjes së policisë ndaj aktivistit Arben Kola gjatë protestës së zhvilluar përpara Parlamentit.
Në fjalën e tij, Shehaj denoncoi atë që e cilësoi si përdorim të forcës policore kundër qytetarëve që protestojnë, duke akuzuar mazhorancën se po vepron për të mbrojtur figurat e saj politike. Sipas tij, ndërhyrja ndaj Kolës ishte e pajustifikuar dhe e tepruar.
“Arben Kola u shoqërua nga 10 efektivë policie, u tërhoq zvarrë vetëm sepse proteston kundër jush. Edhe këtë gjë sot e bëni me frikë, sepse rrezikoni pasoja ligjore. Ndërkohë, kryeministri zgjedh të heshtë”, deklaroi Shehaj gjatë seancës plenare.
Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për masat e forta të sigurisë rreth Kuvendit, duke i interpretuar si shenjë frike nga reagimi qytetar dhe mungesë vullneti për përballje të drejtpërdrejtë me protestuesit.
“Parlamenti është kthyer në një zonë të blinduar, sepse nuk përballeni dot me qytetarët. Protestat kanë vijuar prej dy muajsh dhe ju vazhdoni të fshiheni pas gardheve dhe forcave të rendit”, u shpreh ai.
Në vijim të deklaratës së tij, Shehaj kritikoi edhe mbështetjen politike që, sipas tij, mazhoranca po i jep ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke theksuar se mbrojtja e saj po bëhet përmes fuqisë së kartonëve në Kuvend dhe jo përmes transparencës apo përgjegjësisë publike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



