Shpërthen Veliaj: Rama më kërcënoi me 100 vite burg nëse nuk lija Bashkinë dhe avokatin
Kryebashkiaku publikon letrën tronditëse për takimin me Toni Gogun!
Erion Veliaj ka reaguar publikisht për takimin me ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, duke publikuar një letër të shkruar prej tij, ku paraqet atë që pretendon se është përmbajtja e bisedës së zhvilluar në burg.
Në reagimin e tij, kryebashkiaku i Tiranës mohon kategorikisht çdo përfshirje në organizimin apo financimin e protestave studentore dhe i kërkon kryeministrit Edi Rama të paraqesë prova për këto pretendime. Veliaj e shoqëron mesazhin me një deklaratë të fortë, duke theksuar se nuk do të pranojë që askush të cenojë dinjitetin e tij.
“Dua të siguroj socialistët se unë nuk e gjuaj shtëpinë time socialiste me gurë, por as nuk lejoj të gjuajë me gurë askush mbi dinjitetin tim.
Unë vërtet kam më pak liri sesa Kryeministri, por kam shumë herë më tepër dinjitet se ai”, shkruan Veliaj.
Ai i cilëson si “haluçinacione bolshevike” aludimet se ka organizuar ose financuar protestat dhe pretendon se e gjithë e vërteta e takimit me ministrin Toni Gogu gjendet në letrën e publikuar.
“Refuzoj haluçinacionet bolshevike që unë kam organizuar ose financuar protestat dhe e gjithë e vërteta e takimit me ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, është kjo letër e shkruar me dorën time”, shprehet ai.
Çfarë shkruan Veliaj për takimin me Gogun?
Sipas shënimeve të publikuara nga Veliaj, takimi është zhvilluar të premten, në orën 22:30. Ai pretendon se Toni Gogu është paraqitur për takim pas një periudhe prej 20 muajsh.
Në letër, Veliaj i referohet kryeministrit me inicialin “R” dhe ministrit me inicialet “TG”. Sipas versionit të tij, Gogu i ka komunikuar se Rama ishte përfshirë personalisht në vendimin për transferimin e tij, izolimin në burg dhe çështje që lidheshin me lejet për spital, takimet dhe kontaktet me miqtë e familjarët.
Më tej, Veliaj pretendon se kryeministri kishte anashkaluar ministrin e Drejtësisë dhe kishte përcaktuar tri kërkesa konkrete ndaj tij.
E para lidhej me protestat studentore. Sipas asaj që Veliaj shkruan se i është komunikuar, atij i kërkohej të pranonte përfshirjen në çështjen e quajtur “Flamingot – Studentët”, në të kundërt do t’i shtoheshin akuzat për “prishje të rendit kushtetues” dhe do të përballej me një dënim të mundshëm prej 100 vitesh burg në burgjet 313 dhe 302.
Kërkesa e dytë, sipas letrës, kishte të bënte me Bashkinë e Tiranës. Veliaj pretendon se i është kërkuar të hiqte dorë nga drejtimi i institucionit dhe t’ia delegonte pushtetin Arbër Hajdarit.
Ndërsa kërkesa e tretë, sipas tij, ishte ndërprerja e konsultimeve me avokatin Plarent Ndreca.
“Sfidoj Ramën të nxjerrë një provë të vetme”
Në fund të reagimit, Veliaj i drejtohet drejtpërdrejt kryeministrit, duke kërkuar që të bëjë publike prova për pretendimet mbi organizimin dhe financimin e protestave.
“Sfidoj Kryeministrin e vendit të nxjerrë një provë të vetme për aludimet e protestave. Ndryshe ik!”, përfundon reagimin e tij.
Publikimi i letrës e çon në një tjetër nivel përplasjen mes Veliajt dhe kryeministrit Rama, ndërsa në qendër të saj janë tashmë jo vetëm e ardhmja e drejtimit të Bashkisë së Tiranës, por edhe pretendimet për presion politik gjatë qëndrimit të kryebashkiakut në burg.
Reagimi i plotë:
Dua të siguroj socialistët se unë nuk e gjuaj shtëpinë time socialiste me gurë, por as nuk lejoj të gjuajë me gurë askush mbi dinjitetin tim.
Unë vërtet kam më pak liri sesa Kryeministri, por kam shumë herë më tepër dinjitet se ai.
Refuzoj haluçinacionet bolshevike që unë kam organizuar ose financuar protestat dhe e gjithë e vërteta e takimit me ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, është kjo letër e shkruar me dorën time.
Sfidoj Kryeministrin e vendit të nxjerrë një provë të vetme për aludimet e protestave.
Ndryshe ik!
Letra e plotë:
E premte, ora 22:30�
Toni Gogu vjen në takim pas 20 muajsh.
TG: R ka bërë transferimin, urdhër që ky nga konvikt duhet të bëjë burg tamam dhe që personalisht është marrë dhe me lejen për spital, lejet për takime, deri te aksesi tek miqtë e familja.
R ka bypass TG dhe ka urdhëruar vetë transferimin e izolimin me këto 3 kërkesa:
– Prano përfshirjen me Flamingot – Studentët ose do të shtohen akuzat për “prishje të rendit kushtetues” nga burgu e do bësh 100 vjet burg në 313 e 302.
– Hiq dorë nga bashkia TR dhe delegoje (te Arbër Hajdari).
– Mos u këshillo më me Plarent Ndrecën.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco





