Shpërthim me tritol në një lokal në Vlorë
Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur qytetin e Vlorës në orët e para të mëngjesit të kësaj të enjteje, duke shkaktuar panik dhe dëme të konsiderueshme materiale. Dyshohet se në ngjarje është përdorur lëndë plasëse e tipit tritol.
Sipas informacioneve paraprake, shpërthimi ka ndodhur rreth orës 04:00 dhe objektiv ka qenë një lokal në qytetin bregdetar. Si pasojë e forcës së shpërthimit, janë dëmtuar rëndë xhamat dhe struktura e ambientit, si brenda ashtu edhe jashtë biznesit.
Vala goditëse ka prekur edhe zonën përreth, duke dëmtuar një automjet që ndodhej i parkuar pranë lokalit. Megjithatë, fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar, pasi ngjarja ka ndodhur në një orar kur nuk kishte prani qytetarësh.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta të Policisë së Vlorës, së bashku me grupin e ekspertizës kriminalistike. Zona është izoluar, ndërsa specialistët kanë nisur hetimet në terren, duke kryer këqyrjen e detajuar dhe duke mbledhur prova materiale.
Në fokus të hetimit janë edhe kamerat e sigurisë në zonë, të cilat pritet të ndihmojnë në identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.
Deri në këto momente nuk raportohet për persona të shoqëruar, ndërsa grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë të sulmit dhe kapjen e përgjegjësve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



