Shpërthimi me humbje jete në Shkodër, OSHEE nxjerr bllof Policinë
Një ngjarje tragjike ka ndodhur në lagjen “Manush Alimani” në Shkodër, ku një banor i një pallati ka humbur jetën pas një shpërthimi të fortë. Viktima është identifikuar si Hysni Ymeri, 67 vjeç.
Fillimisht, Policia e Shtetit njoftoi se humbja e jetës kishte ardhur si pasojë e shpërthimit të boksit të matësve elektrikë në ambientet e pallatit. Megjithatë, ky version është kundërshtuar nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE).
Në një reagim zyrtar, OSHEE ka sqaruar se, bazuar në të dhënat paraprake, shpërthimi nuk ka lidhje me boksin e matësve elektrikë të pallatit, duke rrëzuar kështu pistën e ngritur fillimisht nga policia.
“Referuar informacioneve paraprake, shpërthimi nuk ka ndodhur për shkak të boksit të matësve”, thuhet në deklaratën e OSHEE-së.
Ky kundërshtim mes institucioneve ka ngritur pikëpyetje serioze mbi shkakun real të shpërthimit. Një nga pistat që po shqyrtohet në mënyrë jozyrtare është mundësia e përdorimit të një sasie lënde plasëse, edhe pse deri tani Policia e Shtetit nuk ka konfirmuar apo përmendur zyrtarisht një skenar të tillë.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes i ka marrë në dorë grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, i cili pritet të përcaktojë shkakun e saktë të shpërthimit që i mori jetën 67-vjeçarit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



