Shqipëria dhe Italia shkatërrojnë 3 banda droge në Europë, arrestohet bos-i shqiptar i trafikut!
Një operacion ndërkombëtar i koduar “Fingerprint” ka çuar në shkatërrimin e tre grupeve kriminale që vepronin në Itali, Holandë dhe Zvicër, duke trafikuar lëndë narkotike të tipit kokainë dhe kanabis. Operacioni u realizua nga autoritetet italiane në bashkëpunim me policinë shqiptare.
Gjatë hetimeve u përfshinë 32 persona, nga të cilët 12 janë arrestuar, përfshirë edhe një shtetas shqiptar. Në pranga ranë gjithashtu dhe një grua shqiptare që ishte pjesë e rrjetit. Në kuadër të aksionit u sekuestruan 2 kg kokainë dhe 22 kg kanabis.
Një prej nën-grupeve kriminale përbëhej nga shqiptarë që sillnin kokainë me shumicë nga Holanda në Itali, ndërsa një grup tjetër trafikonte drogë nga Firence drejt Zvicrës. Dërgesat kryheshin me automjete të modifikuara për fshehjen e lëndëve narkotike.
Operacioni u intensifikua pas sigurimit të një fotografie nga Karabinierët, ku shfaqej kokaina mbi dorën e një personi, gjë që çoi në identifikimin dhe ndalimin e pjesëtarëve të rrjetit.
Policia shqiptare mori pjesë në aksion, duke arrestuar një ditë më parë në Fier 41-vjeçarin Edi Hoxha alias Edison Hoxha, i cili akuzohet për koordinimin e veprimtarisë kriminale të organizatës gjatë periudhës 2020–2021 në Shqipëri, Itali dhe Zvicër.
Hetimet vijojnë dhe 20 persona të tjerë janë ende në kërkim. Autoritetet po punojnë për të zbardhur të gjitha lidhjet dhe mënyrën e funksionimit të rrjetit ndërkombëtar të drogës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



