“Shqipëria fitoi”/ Kushner tërhiqet nga Serbia, “tërbohet” Vuçiç
“Humbëm 750 mln euro investime”
Serbia ka humbur rreth 750 milionë euro investime pas tërheqjes së kompanisë së Jared Kushner, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump, nga projekti i planifikuar për ndërtimin e një kompleksi luksoz në Beograd.
Lajmin e bëri të ditur vetë presidenti serb Aleksandar Vuçiç, i cili e cilësoi këtë zhvillim si një goditje të rëndë për interesat ekonomike të vendit. Sipas tij, kompania e investimeve “Affinity Partners” kishte parashikuar ndërtimin e një kompleksi rezidencial dhe biznesi me markën Trump, në zonën ku ndodhen aktualisht ndërtesat e ish-Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Jugosllavisë, të shkatërruara gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999.
Vuçiç deklaroi se projekti u braktis si pasojë e asaj që ai e quajti një “gjueti shtrigash” ndaj investitorit dhe vetë ndërtimit, duke theksuar se Serbia humbi një mundësi të rrallë zhvillimi. Ai shtoi se, sipas tij, po krijohet një perceptim negativ ndaj vendit, ndërkohë që projekte të ngjashme në rajon po promovohen dhe marrin vëmendje pozitive.
“Në Shqipëri po realizohet një projekt më i vogël dhe më i dobët, por ai po promovohet fuqishëm dhe do të ketë publicitet të shkëlqyer, pasi do të lavdërohet nga e gjithë familja Trump. Duket se disa popuj i kuptojnë më mirë vendimet e udhëheqësve të tyre sesa populli ynë, ose një pjesë e opozitës sonë politike, e gatshme të veprojë kundër interesave të vendit të vet”, u shpreh Vuçiç, duke iu referuar planeve të Kushner për investime në ishullin e Sazanit.
Kreu i shtetit serb kritikoi gjithashtu opozitën dhe kundërshtarët e projektit, duke deklaruar se një pjesë e shoqërisë dhe spektrit politik po vepron kundër interesave të Serbisë. Ai theksoi se protesta kundër projektit u nxitën nga grupe antiqeveritare, opozita dhe ekspertë të trashëgimisë kulturore, të cilët kërkonin ruajtjen e statusit të monumentit kulturor të ish-godinës së Shtabit të Përgjithshëm dhe rindërtimin e saj.
Tërheqja zyrtare e kompanisë së Kushner u bë publike më 15 dhjetor, pikërisht në ditën kur Prokuroria për Krim të Organizuar në Serbi ngriti aktakuzë ndaj ministrit të Kulturës, Nikolla Sellakoviç, për shkelje të ligjit gjatë procesit të heqjes së statusit të monumentit kulturor nga ndërtesa e Shtabit të Përgjithshëm.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



