Shqipëria ka nevojë për Kushtetutë dhe reformë të re në drejtësi
Juristi Ylli Manjani ka reaguar përmes një shënimi në rrjetet sociale ndaj kritikave dhe pyetjeve të shumta se pse, sipas disave, ka “ndryshuar qëndrim”.
Manjani thekson se qëndrimet e tij kanë qenë dhe mbeten të njëjta, duke nënvizuar se nuk flet sipas interesave, tifozllëkut politik apo pritshmërive të të tjerëve, por mbi bindjen e tij profesionale dhe qytetare.
Sipas tij, nuk është ai që ka ndryshuar, por pëlqimet e njerëzve, të cilat, siç shprehet, lëvizin sipas interesit. Ai i cilëson të pavërteta dhe të kota aludimet se është “blerë” përmes posteve publike, duke kujtuar se edhe kur ka mbajtur funksione shtetërore ka shprehur të njëjtat mendime kritike.
Në reagimin e tij, Manjani rendit një sërë shqetësimesh që, sipas tij, kanë shoqëruar dhe vazhdojnë të shoqërojnë sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Ai kritikon arrestimet pa prova dhe pa proporcionalitet, hetimet dhe gjykimet e bazuara në kallëzime politike apo anonime, përdorimin e përgjimeve të paprovuara, si dhe ndërhyrjet abuzive në jetën private.
Po ashtu, Manjani shpreh shqetësim për atë që e cilëson si krijimin e një “shteti prokurorësh”, vendosjen nën kontroll të gjyqtarëve nga SPAK, shkatërrimin e sistemit të drejtësisë përmes një procesi vettingu të padrejtë dhe degradimin e Kushtetutës.
Ai kritikon gjithashtu ndikimin e ndërkombëtarëve dhe ambasadorëve në vendimmarrjen politike, kriminalizimin e veprimtarisë ekonomike, ndëshkimet ndaj biznesit, ligjet zgjedhore që, sipas tij, ndajnë pushtetin pa vota, si dhe mungesën e debatit real politik në vend.
Në përfundim, Manjani thekson se ka qenë dhe mbetet një nga zërat më kritikë për nevojën e një Kushtetute të re dhe një reforme të re në drejtësi, me gjykata të paanshme dhe një shtet funksional që t’u shërbejë qytetarëve.
“Unë ky jam, me apo pa funksion publik”, shprehet Manjani, duke nënvizuar se nuk u kërkon askujt të pajtohet me idetë e tij dhe se do të vazhdojë të flasë lirshëm, pavarësisht kostove.
Reagimi i Ylli Manjanit:
Të gjithë ata që vijojnë të më pyesin “pse ke ndryshuar qëndrim?”, u them se qëndrimet e mia njësoj kanë qenë e janë.
Unë nuk i shpreh qëndrimet publike sipas interesave apo tifozllëkut të dynjasë, por për qejfin tim dhe mbi bindjen profesionale e qytetare që krijoj.
Nuk kam patur as frikë e as pengesë për ato qëndrime në publik as kur kam patur funksion publik, as kur nuk kam patur asgjë. Kam paguar kostot e lirisë sime për të menduar dhe shprehur dhe skam asnjë pishman për këtë.
Si në politikë ashtu edhe jashtë saj mendimet e mia kanë qenë kritike dhe mbeten ende të tilla për:
1. Arrestet me burg pa hesap, pa nevojë e proporcionalitet, pa prova dhe pa akuzë;
2. Hetimet, më keq akoma gjykimet e dënimet mbi bazë kallëzimesh politike, popullore ose anonime;
3. Hetimet dhe gjyqet me të dhëna përgjimesh të pafaktuara në realitet;
4. Ndërhyrjet abuzive në jetën private, banesa dhe mjedise private;
5. Gjyqet popullore me materiale të nxjerra nga dosjet hetimore;
6. Ndëshkimet penale të shqiptarit kundër shqiptarit për llogari të të huajve;
7. Ligjet penale të egra e të pakuptimta që kriminalizojnë njerëz me zor;
8. Krijimin e një shteti prokurorësh, të një prokurorie me dy kokë dhe të republikës së ekspertëve;
9. Vendosjen nën kontroll total të gjykatësve nga SPAK;
10. Shkërmoqjen e Kushtetutës së vendit dhe degradimin e saj në një rregullore personeli dhe pamflet antikorrupsioni me ndërkombëtarë pa din e iman;
11. Shkatërrimin e sistemit të drejtësisë me një vetting të pandershëm, krejt subjektiv dhe të padrejtë;
12. Dorëzimin e politikës e shtetit në duar ambasadorësh madje edhe të ngarkuarish me punë dhe, injorimin e njerëzve që votohen për të marrë vendime;
13. Shkatërrimin e të bërit politikë në dobi të shoqërisë me përdorim të huajsh, lobbistë, nongratllëqe e ambasada;
14. Kanabizimin e vendit si alternativa më e keqe për zhvillim;
15. Ndëshkimet penale të biznesmenëve dhe kompanive për veprimtari të pastër tregtare;
16. Për ligjet skandaloze zgjedhore të bëra me konsensus dhe që ndajnë pushtet pa vota;
17. Për mënyrën si shuhen idetë dhe kontributet politike në vend;
18. Për kurthin politik që ngatërron qëllimshëm përgjegjësinë penale me përgjegjësinë politike, me qëllim që të harrohet kjo e fundit;
19. Për mënyrën se si opozita në gjithë këto vite u largua nga terreni dhe shqiptarët;
20. Për shenjtërinë e pronës private dhe nevojën e ngutshme për ta mbrojtur atë;
21. Për prezumimin absurd mafioz të çdo shqiptari, zyrtari dhe politikani;
E për plot teza e mendime të miat si këto. Askush më shumë sesa unë nuk ka folur për një Kushtetutë të re, reformë të re në drejtësi me gjykatë të paanëshme dhe për një shtet të ri që ti drejtojë shqiptarët drejt sfidave të mëdha të kohës.
Vështrimin kritik nuk e kam qëllim në vetvete, por mënyrë të menduari.
Kur i kam artikuluar në publik këto teza nuk jam nisur asnjëherë nga fakti se kujt i shërbejnë apo i pëlqejnë ato. I kam thënë këto pavarësisht llogores, ku më shohin njerëzit sipas hallit apo interesit politik.
Janë të njëjtat teza të miat, shpesh jam edhe i vetëm në hapësirën publike që i them, të cilat i kanë pëlqyer dhe u pëlqejnë politikanëve në nevojë, por edhe kundërshtarëve të tyre në të njëjtat kushte.
Nuk kam ndryshuar unë pra, por ndryshojnë pëlqimet sipas interesit, dhe nuk më vjen keq e as i kërkoj askujt ndjesë për këtë. Nuk i kam kërkuar askujt të pëlqejë idetë e mia. As të dakordësohet me to.
Kështu që, unë ky jam. Dmth ai që kam qenë, me apo pa funksion.
Kush do të kuptojë, mirë. Në të kundërt mos na harxhoni kohë me kësi pyetjesh. As me konspiracione se më paskan blerë me poste publike!
Ua kujtoj prapë se kam qenë në poste publike dhe prap për këto gjëra kam menduar dhe folur.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



