Shqipëria në flakë, populli në heshtje i trullosur
Nga dritaret e Shqipërisë sot nuk shihen më peizazhe por tym. Nga malet zbresin flakë, jo freski. Nga sytë e shqiptarëve nuk derdhet më shpresë, por një heshtje e trashë, e rëndë dhe e pafalshme.
Ndërkohë që vendi përpëlitet nga zjarret nga Jugu në Veri kreu i qeverisë është kujtuar më në fund të reagojë… në rrjetet sociale. Jo me një ndjesë për sistemin e shuarjes së zjarreve që e ka lënë të kalbur, jo me një plan emergjent për të mbështetur zjarrfikësit që përballen me flakët me duar bosh, por me një krahasim banal: “zjarre ka edhe në Mesdhe.” Është lider global, kujdeset edhe për atë që ndodh në botë. Shqipëria digjet, por mendja e tij endet mes Brukselit dhe bregdetit të jugut.
Këtu, qytetarët shuajnë flakët me shkurre. Forcat zjarrfikëse përballen me ferrin me mjete të vjetruara, pa paisje mbrojtëse, pa logjistikë, pa mbështetje. Në vend të ndihmës, kanë vetëm fjalë falënderuese nga një kryeministër që deri dje përdorte helikopterin e ushtrisë për shëtitje personale në Vlorë, dhe sot kujtohet të postojë mesazhe standarde në Facebook, sikur nuk ka asnjë përgjegjësi për këtë katastrofë.

Ndërsa Shqipëria digjet, qeveria e tij investon për satelitë dhe dronë. Miliona euro për teknologji që monitoron, por nuk shpëton. Pamjet ajrore nga dronët e Bayraktarëve shiten si arritje, ndërkohë që zjarret përhapen pa pengesë. Në terren nuk ka helikopterë zjarrfikës, nuk ka flotë moderne emergjencash. Sistemi i mbrojtjes civile është lënë në mëshirë të fatit me ca makina të rrënuara, goma të konsumuara dhe pajisje që ndoshta kanë kaluar më shumë kohë në servise sesa në punë reale.
Por kjo nuk është një krizë e paparashikuar. Është rezultat i drejtpërdrejtë i një modeli qeverisjeje që vendos prioritetet jo sipas nevojave të vendit, por sipas interesave të pushtetit. Një model që promovon aksionin për imazh të Pashaait, jo përmbajtjen. Spektaklin, jo shërbimin. Dhe më e rënda ky është një pushtet që mbahet jo me legjitimitet, por me ndërhyrje nga jashtë dhe një popull të mpirë nga frika, propaganda dhe varfëria.
Zjarret nuk janë vetëm në pyje. Janë në ndërgjegjen tonë, në shoqërinë tonë, në mënyrën si jetojmë dhe si zgjedhim të mos reagojmë. Një popull që nuk proteston për ajrin që thith, për tokën që digjet, për fëmijët që ikin është një popull që ka pranuar të digjet i gjithi i shtrirë dhe i përulur para këmbëve të udhëhqësit Edi Rama.
Dhe çfarë është më tronditëse: kjo nuk është një tragjedi e shkaktuar vetëm nga natyra, por nga dora e njeriut. Nga papërgjegjshmëria, arroganca dhe le ta pranojmë nga injoranca kolektive. Çdo verë, vendi digjet jo vetëm prej temperaturave të larta, por edhe prej një qeverie që zgjedh të shpëtojë veten dhe jo popullin. Dhe një populli që e ushqen këtë qeveri me heshtje, me indiferencë, ose me adhurim të verbër.
A e meriton Shqipëria këtë? Jo. Por shqiptarët, me këtë apati që i karakterizon, po tregojnë çdo ditë se janë të gatshëm ta përsërisin të njëjtin gabim pafundësisht.
Flakët do shuhen një ditë. Tymrat do të shpërndahen. Por pyetja që mbetet është:
A do ketë mbetur ende Shqipëri?
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



