E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Shqipëria synon 500 mln euro hua, Ahmetaj: Kemi mundësi për një transaksioni nga Parisi
Lajme

Shqipëria synon 500 mln euro hua, Ahmetaj: Kemi mundësi për një transaksioni nga Parisi

Ministria e Financave njoftoi se sot është një ditë e rëndësishme për Shqipërinë. Pritet dalja me sukses në tregjet ndërkombëtare për Eurobondin.

Pas një jave intensive takimesh me investitorët në disa prej qendrave kryesore financiare europiane, pritet sot finalizimi i një procesi të rëndësishëm për ekonominë dhe financat shqiptare, dhe kredibilitetin e vendit në tregjet ndërkombëtare të kapitalit.

Shqipëria synon të marrë hua deri në 500 milionë euro, përmes emetimit të Eurobondit, me afat maturimi 5-7 vjet. Ministria e Financave bën të ditur se ky afat maturimi do të ishte një arritje që reflekton drejtpërsëdrejti rritje të besimit të investitorëve të huaj në ekonominë dhe financat e vendit.

Po kështu, sipas Ministrisë se Financave në diferencë nga viti 2015, Eurobondi i ri pritet të rezultojë me interesa më të ulëta. Huaja e marrë përmes Eurobondit do të përdoret për të plotësuar nevojat e buxhetit për financim, por edhe për të shlyer para kohe 200 milionë euro borxhe të marra përmes Eurobondit të emetuar në 2015, që në kushtet e marrjes me interesa më të ulëta, do të rezultojë në uljen e kostove të borxhit në buxhetin e shtetit dhe qytetarëve.

Në një lidhje telefonike me News24 dhe BalkanWeb, vetë ministri i Financave, Arben Ahmetaj, tha nga Parisi se po kalohen ditë ankthi dhe emocionesh në pritje të huasë. “Është e rëndësishme të themi që kemi bërë një punë të gjatë me muaj. Sot është mundësia e një transaksioni të mundshëm nga Parisi. Ka një orë që është hapur tregu me orën e Londrës. Është një ditë e ngarkuar me ankth dhe emocion. Sa më afatgjatë të jetë bond, dolëm me 7-vjeçar për të testuar ekonominë . Test i rëndësishëm për besimin e investitorëve. E rëndësishme është te besimi që kam te e ardhmja e ekonomisë. Besoj se do t’ia dalim,” tha Ahmetaj.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.