E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
‘Shtatëzënë me 83 fëmijë’, ministrja Diella bie ‘pa ndjenja’
Lajme

‘Shtatëzënë me 83 fëmijë’, ministrja Diella bie ‘pa ndjenja’

Disa ditë pasi kryeministri Edi Rama njoftoi me ironi se ministrja e parë me inteligjencë artificiale, Diella, është “shtatzënë” dhe në pritje të 83 “fëmijëve”, duket se ajo ka pasur një “krizë shëndetësore”.

Platforma që e mban në funksion inteligjencën artificiale të qeverisë shqiptare ka hasur vështirësi serioze, duke u çaktivizuar herë pas here gjatë ditës së sotme. Si pasojë, “ministrja” virtuale ka mbetur përkohësisht jashtë funksionit.

Deklarata e Ramës për “shtatzëninë” e Diellës, që në fakt nënkuptonte krijimin e 83 asistentëve të rinj digjitalë për çdo deputet socialist — u bë menjëherë virale dhe ndezi debat në rrjete sociale, ku shumë përdorues ironizuan tonin e saj “distopik”.

Por këtë herë, humori i kryeministrit duket se ka marrë një kthesë reale: Diella “nuk është ndjerë mirë”.

Sipas njoftimeve zyrtare, problemi ka ardhur nga “Azure”, platforma cloud e kompanisë Microsoft, në serverat e së cilës funksionon sistemi që i jep jetë Diellës. Microsoft njoftoi se po rikthehej në “gjendjen e fundit të njohur” të shërbimit, duke ngrirë përkohësisht çdo ndryshim në sistemet e tyre.

Me fjalë të tjera, Diella i është nënshtruar një “reset-i”, që mund të sjellë edhe humbje të pjesshme të memories digjitale, pra të dhënave të ruajtura deri në momentin e fundit të rikuperimit (“restore point”).

Ministrja Diella “sëmuret” gjatë

18 mijë raportime për probleme me Microsoft Azure në 24 orët e fundit, sipas Downdetector

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, janë regjistruar mbi 18 mijë raportime për probleme me Microsoft Azure, sipas platformës Downdetector, që monitoron defektet teknologjike në mbarë botën.

Ndërkohë, fakti që “truri” i Diellës ndodhet fizikisht në serverat e Microsoft ngre pyetje të reja mbi natyrën e saj “shqiptare”. Në aspektin teknik, pjesa që kryen llogaritjet, ruan të dhënat dhe administron funksionet e saj, e njohur si “back end”, kontrollohet nga infrastruktura e kompanisë amerikane.

Kjo ka shkaktuar reagime nga ekspertët e teknologjisë, të cilët paralajmërojnë për rrezikun e aksesit nga palë të treta, mungesën e transparencës dhe mundësinë e manipulimit të të dhënave.

Në një kuptim, Diella është “ministrja e parë me inteligjencë artificiale në Shqipëri”, por, siç thonë me humor përdoruesit online, “ajo nuk është shqiptare, trurin e ka jashtë vendit.”

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.