Si e paralajmëroi Publik.al emërimin e Bajraktarit në krye të DPSHTRR
Bela e prezantoi sot
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, prezantoi sot Kreshnik Bajraktarin si drejtor të ri të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), duke zëvendësuar Endri Haxhiun.
Burime zyrtare e konfirmuan këtë lëvizje për Publik.al se Bajraktari do të merrte drejtimin e DPSHTRR, që ditën e hënë, lëvizje kjo pas një vendimi të firmosur nga ministrja, vetëm pak muaj pas periudhës së tij si Drejtori i Portit të Durrësit, post të cilin e mbante që nga korriku 2024.
Ministrja Balluku theksoi se DPSHTRR, falë investimeve dhe inovacionit, është kthyer në një model suksesi në shërbimin publik:
“Kemi hapur zyra dhe drejtorira rajonale. Ka qenë një reformë e thellë, e realizuar me pasion dhe përpikëri, që e ka ngritur institucionin në një nivel shembullor,” tha Balluku.
Drejtori i ri, Kreshnik Bajraktari, u shpreh i vetëdijshëm për përgjegjësitë:
“Bashkë me stafin do arrijmë të ofrojmë shërbime cilësore, të shpejta dhe transparente. Shpreh dëshirën dhe pasionin për të punuar me përkushtim për të shpërblyer këtë besim.”
Ndërkohë, Endri Haxhiu largohet pas disa muajsh drejtim, gjatë të cilëve DPSHTRR realizoi projekte të rëndësishme digjitalizimi dhe modernizimi të shërbimeve rrugore. Largimi i tij dhe kalimi i drejtimit tek Bajraktari shihen si pjesë e riorganizimit administrativ për të forcuar menaxhimin dhe mbikëqyrjen e sektorit të transportit rrugor.
Ky ndryshim vjen në një moment të lëvizjeve të shpeshta në institucionet kryesore të infrastrukturës. Pak ditë më parë, ish-ministri i Infrastrukturës i Kosovës, Liburn Aliu, u emërua në krye të Portit të Durrësit, duke zëvendësuar pikërisht Bajraktarin.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


