E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
‘Virgjëresha’ e korrupsionit ‘gostit bejlereshën’ e Durrësit
Lajme

‘Virgjëresha’ e korrupsionit ‘gostit bejlereshën’ e Durrësit

Tenderi 1.5 miliardë lekë për kompaninë e lidhur me Emiriana Sakon

Kompania private “Mektrin Motors Sh.p.k.”, në pronësi të familjes së kryebashkiakes së Durrësit, Emiriana Sako, vijon të përfitojë shuma të konsiderueshme nga buxheti i shtetit përmes tenderëve të zhvilluar nga institucionet publike. Sipas të dhënave zyrtare, kjo kompani ka rezultuar fituese e procedurave të rëndësishme, të cilat, sipas kritikëve, mbajnë shenja të forta të favorizimit dhe paracaktimit.

Dy ditë përpara ndërrimit të viteve, më 29 dhjetor 2025, në Buletinin e Prokurimeve Publike u publikua njoftimi i Operatorit të Blerjeve të Përqendruara për përfundimin e një procedure tenderimi me objekt: “Blerje autoambulancash me sisteme, pajisje dhe aparatura për shërbimin e Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore”. Vlera e kontratës kap shifrën e 1 miliardë e 542 milionë lekëve me TVSH.

“Balerina” e Blendi Gonxhes, tender 1.5 miliardë lekë

Fituesja e këtij tenderi rezulton të jetë “Mektrin Motors Sh.p.k.”, kompani e lidhur drejtpërdrejt me familjen e kryebashkiakes së Durrësit, çka ka ngritur pikëpyetje serioze mbi konfliktin e interesit dhe mënyrën e shpërndarjes së fondeve publike.

Procedura është firmosur nga Drejtoresha e Operatorit të Blerjeve të Përqendruara, Arlinda Pogaj, një emër i njohur në radhët e administratës dhe Partisë Socialiste, e konsideruar gjerësisht si një nga personat më të afërt me ministrin Blendi Gonxhe.

Megjithëse formalisht Arlinda Pogaj ndodhet në vartësi të Ministres së Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, ajo njihet për lidhjen e ngushtë me Blendi Gonxhen, i cili e ka pasur pranë në çdo institucion ku ka ushtruar funksione drejtuese. Pogaj është emëruar si drejtuese tenderësh në Bashkinë e Tiranës, në Drejtorinë e Parqeve, në Drejtorinë e Transportit Rrugor, më pas në ministri, si dhe ka qenë pjesë e delegacioneve, udhëtimeve dhe aktiviteteve të shumta brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Emri i saj u bë edhe më i komentuar pas pjesëmarrjes në mbrëmjen gala të fundvitit të organizuar nga Blendi Gonxhe me stafin e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, një aktivitet që u shoqërua me kritika për karakterin e tij dhe për praninë e zyrtarëve të institucioneve të tjera. Në këtë mbrëmje, Arlinda Pogaj ishte e ftuar personale e ministrit Gonxhe, duke nxitur reagime për afërsinë e saj me pushtetin dhe rolin që luan në vendimmarrjet financiare të shtetit.

Në këtë kontekst, dhënia e një kontrate me vlerë mbi 1.5 miliardë lekë një kompanie të lidhur me pushtetin vendor, e firmosur nga një drejtore me lidhje të drejtpërdrejta politike dhe personale me një ministër, ka shtuar dyshimet për klientelizëm, favorizim dhe përdorim të institucioneve shtetërore për interesa të ngushta./Pamfleti

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.