E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Si lindi  miti i Santa Klausit?
Publik News

Si lindi miti i Santa Klausit?

Lindja e mitit të Santa Klausit dhe sfida e krishtere ndaj ndikuesve pagane të kremtimit të Krishtlindjes

Prej kohësh, Krishtlindjet janë quajtur festë tradicionale e krishterë që kremton lindjen e Krishtit. Megjithatë, shumë prej zakoneve në këtë festë na bëjnë të pyesim se si u lidhën me lindjen e Krishtit. A ka lidhje Plaku i Krishtlindjeve me Jezuin dhe lindjen e tij?

Në mjaft vende, Plaku i Krishtlindjeve shihet si ai që u sjell dhurata fëmijëve. Shpesh, fëmijët me anë të letrave i kërkojnë atij dhurata, që sipas traditës, i bën me ndihmën e elfëve në qendrën e tij në Polin e Veriut.

Sipas pikëpamjes së përhapur, miti i Plakut të Krishtlindjeve ose i Santa Klausit e ka origjinën nga shën Nikolla, kryepeshkopi i Mirës në Azinë e Vogël, Turqia e sotme. «Gati çdo gjë e shkruar për shën Nikollën bazohet në legjenda»,—thotë The Christmas Encyclopedia. Emri «Santa Klaus» mund ta ketë origjinën nga fjala Sinterklaas, një formë e ndryshuar e versionit në holandisht të emrit «shën Nikolla». Nga ana historike dhe biblike, Santa Klausi nuk ka asgjë të përbashkët me Jezu Krishtin.

Të flasim për mitin e Santa Klausit (Babagjyshit të Krishtlindjeve). Ky personazh gazmor me mjekër të bardhë, faqe të kuqe e kostum të kuq është krijuar nga një reklamë e suksesshme e një kompanie pijesh në Amerikën Veriore më 1931, me rastin e Krishtlindjeve. Gjatë viteve ’50, disa brazilianë u përpoqën ta zëvendësonin Santa Klausin me një figurë legjendare vendëse: Babagjyshin indigjen. Cili ishte rezultati? Santa Klausi jo vetëm e mundi Babagjyshin indigjen, por, sipas profesorit Karlos E. Fantinati, «mundi edhe Jezuin foshnjë e u bë përfaqësuesi zyrtar i festës së 25 dhjetorit». Por, a janë mite të tilla, si Santa Klausi, problemi i vetëm i Krishtlindjeve? Për t’u përgjigjur, le të hedhim një vështrim në krishterimin e hershëm.

Encyclopedia Britannica thotë: «Gjatë dy shekujve të parë të krishterimit kundërshtohej fort festimi i ditëlindjeve të martirëve e madje edhe i ditëlindjes së Jezuit.» Pse? Të krishterët e konsideronin festimin e ditëlindjeve një zakon pagan, diçka që duhej shmangur krejtësisht. Në fakt, në Bibël nuk thuhet fare data e lindjes së Jezuit.

Pavarësisht nga qëndrimi që kishin të krishterët e hershëm kundër zakonit të festimit të ditëlindjeve, në shekullin e katërt të e.s., Kisha Katolike vendosi të festoheshin Krishtlindjet. Kisha donte të forconte pozitën e saj duke hequr një nga pengesat kryesore që kishte: popullaritetin e feve romake pagane dhe festat e tyre të solsticit të dimrit. Sipas botimit “Christmas in America”, të autores Peni L. Restad, çdo vit, nga data 17 dhjetor deri më 1 janar, «shumica e romakëve shtronin gosti, organizonin lojëra, bënin ahengje e parada dhe përfshiheshin në festime të tjera ndërsa u bënin nderime perëndive të tyre». Kurse më 25 dhjetor, romakët kremtonin lindjen e Diellit të Pamposhtur. Kur vendosi festimin e Krishtlindjeve atë ditë, kisha i lajkatoi shumë romakë duke ua mbushur mendjen që të festonin lindjen e Krishtit në vend të lindjes së diellit. Sipas botimit “Santa Claus, a Biography”, të autorit Geri Boulër, romakët «mund të vazhdonin të shijonin veçoritë tërheqëse të festave të mesit të dimrit». Po ky autor thotë se në të vërtetë ata e kremtonin festën e tyre të re me tradita të vjetra.

Pra, është e qartë se problemi kryesor për festimin e Krishtlindjeve është origjina e tyre. Në librin “The Battle for Christmas”, autori Stivën Nisenbaum thotë për Krishtlindjet se nuk janë gjë tjetër «veçse një festë pagane me një lustër të krishterë». Prandaj, festa e Krishtlindjeve nuk e nderon aspak Zotin dhe Birin e tij, Jezu Krishtin. A është kjo diçka e parëndësishme? Bibla bën këtë pyetje: «Ç’lidhje ka drejtësia me paligjshmërinë? Apo ç’pjesë ka drita me errësirën?» (2 Korintasve 6:14)

Kur shqyrtohen nën dritën e Biblës, pothuajse çdo aspekt i Krishtlindjeve është ose me origjinë pagane ose një shtrembërim i tregimeve biblike. Pra, traditat e Krishtlindjeve vetëm emrin kanë të krishterë. Po si ndodhi kjo? Shekuj pas vdekjes së Krishtit, dolën shumë mësues të rremë, pikërisht siç ishte parathënë në Bibël. (2 Timoteut 4:3, 4) Këtyre njerëzve pa parime u interesonte më shumë ta bënin krishterimin sa më të pranueshëm për masat pagane, sesa t’u mësonin të tjerëve të vërtetën. Kështu, dalëngadalë adoptuan festat fetare pagane të përhapura dhe i etiketuan «të krishtere».

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.