SI TË STRUKTUROSH NJË EMISION LAJMESH
Jani Malo
Lajmet në TV duhet doemos:
-Të fillojnë me një kronikë nga veprimtaria ditore e Edi Ramës. Edhe po nuk pati të shpiket. (Në televizionet ProBerishë lajmet të nisin me kronikën për Salën, me rubrikën e përditshme: “Të reja nga Ballkoni i Lirisë”.
-Të vijojnë disa kronika rresht me vrasje brenda familjes apo për larje hesapesh. Pranohen dhe plagosje a sherre për ngacmim dashnoreje.
-Kronikat me hajdutë e kanë radhën pas vrasjeve. Nëse nuk mjaftojnë paradat me ministra apo ministre që aktrojnë me këmbë e duar nëpër kantiere koncensionarësh ku sezoni i korrjeve të parave nuk njeh stinë, të përdoren raste të vjedhjeve ordinere të ndonjë fakiri dhe të tregohet se si ai qafir merr ndëshkimin e merituar.
– Të vazhdohet me arritjet e turizmit tonë, intervista me italianë të zhgënjyer nga Italia, ukrainas që i kanë shpëtuar luftës, polakë të trullosur nga bukuritë, ndonjë japonez që gjeti këtu sushin më të mirë, apo çekë të magjepsur nga greminat. Në asnjë rast të mos harrohen pa u përmendur Maldivet tona.
– Mundësisht çdo edicion duhet të ketë një kronikë gjobe, e cila është më mirë të mos jepet fare nëse nuk duket si shërbim për të mirën e popullit dhe të ketë mjaftueshëm moral ndershmërie.
– Para se të kalohet te lajmet për sportin dhe parashikimin e motit, minuta pa kursim duhet të zërë “Kronika e Lalit”. Kryebashkiaku i Tiranës duhet të shfaqet sa më popullor, bie fjala, si Lej Feni i njohur kinez në versionin modern, duke përuruar ndonjë shkollë, duke mbjellë ndonjë pemë, duke dhënë çelësa të Tiranës e duke shtyrë karroca. (Lejohen edhe filmime nga arkivi i tij i pasur i viteve të shkuara).
Kujdes:
-Nuk pranohen folës që e njohin mjaftueshëm historinë apo gjeografinë e Shqipërisë si dhe ndalohen kategorikisht që lajmet t’i japin njerëz që dinë më shumë se 700 fjalë nga gjuha shqipe.
-Lajmet për artin, kulturën apo librin lejohen vetëm kur këto janë prodhim ekskluziv i vetë televizionit.
-Meqë edicioni i lajmeve organizohet si një grup i strukturuar gënjeshtrash, ndalohet kategorikisht mbivendosja në to e gënjeshtrave të tjera, si bie fjala, e reklamave ekonomike, përfshirja e të cilave të lejohet vetëm kur janë pjesë e biznesit të televizionit apo e partnerëve të tij.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



