Si u ‘fundos’ Belinda Balluku nga Tuneli i Llogarasë
Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion konfirmoi zyrtarisht se zv.kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, është marrë e pandehur për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, sipas neneve 258/2 dhe 25 të Kodit Penal.
Sipas njoftimit zyrtar, Balluku është nën hetim në lidhje me procedurën e tenderimit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, pjesë e aksit rrugor Orikum–Himarë në autostradën SH8 (Vlorë–Sarandë). Hetimet kanë zbuluar shkelje në procedurat e prokurimit, të zhvilluara më 11 dhjetor 2020 dhe të rihapura pas anulimit më 22 qershor 2021, me një fond limit prej afro 19 miliardë lekësh pa TVSH (rreth 189 milionë euro).
SPAK bën me dije se më 21 tetor 2025 i ka njoftuar Ballukut akuzën përmes shkresës me nr. protokolli 37398. Ministrja kishte kërkuar shtyrjen e afatit për paraqitje, por më pas, përmes një tjetër shkresë, SPAK e thirri për në datën 31 tetor, ora 15:00, ku ajo u paraqit e shoqëruar nga avokatja dhe motra e saj, Pamela Qirko.
Mësohet se pas vizitës së Ballukut dhe kryeministrit Edi Rama në Turqi, tenderi fillestar për tunelin është anuluar, për t’iu dhënë më pas një kompanie turke, ndërsa fituesit e rinj kanë nënkontraktuar kompaninë shqiptare “Gjoka Construction”, e cila ka realizuar ndërtimin. Kjo manovër, sipas ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, solli një shtesë prej mbi 50 milionë eurosh në vlerën përfundimtare të projektit.
Burime të hetimit kanë bërë me dije se provat që implikojnë Ballukun janë gjetur nga kqyrja e telefonit celular të ish-kreut të ARRSH, Evis Berberi, aktualisht nën hetim. Në këto komunikime janë zbuluar kontakte të drejtpërdrejta me një shtetas grek, kompania e të cilit ka fituar tenderin për supervizimin e punimeve të tunelit.
Balluku është funksionare e dytë e nivelit më të lartë qeveritar që merret e pandehur nga Prokuroria e Posaçme, pas një sërë hetimesh që kanë përfshirë zyrtarë të lartë të ministrisë dhe institucioneve vartëse, përfshirë Entin Kombëtar të Rrugëve.
Ky është një nga hetimet më të bujshme të SPAK që prek drejtpërdrejt kupolën e qeverisë, ndërsa tuneli i Llogarasë ka qenë një nga projektet strategjike të promovuara personalisht nga kryeministri Edi Rama dhe nga vetë Balluku.
Reagimi i plotë:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po heton në kuadër të procedimit penal nr.136 të vitit 2025 (bashkuar me procedimet penale nr.167 dhe 181 të vitit 2024), për veprën penale,“Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal.
Në kuadër të hetimit të këtij procedimi penal, sot, më 31.10.2025 i është njoftuar akuza të pandehurës Belinda Balluku, me funksionin e lartë shtetëror, Ministër i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, akuzuar për kryerjen e veprës penale,“Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet, 258/2 dhe 25 i Kodit Penal.
Deri në këtë fazë të hetimeve paraprake, faktet penale, objekt akuze në ngarkim të të pandehurës Belinda Balluku, kanë të bëjnë me veprimet e saj, në cilësinë e Ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për njërën nga procedurat e prokurimit, objekt i këtij hetimi, “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”, në seksionin rrugor Orikum-Himarë, pjesë e autostradës SH8 (Vlorë-Sarandë), zhvilluar në datën 11.12.2020 dhe pas anulimit të saj, procedura është rihapur në datën 22.6.2021, me fond limit, 18 967 810 952.08 (tetëmbëdhjetë miliardë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e shtatë milionë e tetëqind e dhjetë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e dy (pikë) zero tetë) lekë pa TVSH.
Më 21.10.2025, Prokuroria e Posaçme, si organ procedues ka njoftuar të pandehurën përmes shkresës me numër protokolli 37398. E pandehura, pasi mori dijeni, ka njoftuar më 23.10.2025, organin procedues se nuk mund të paraqitej në datën dhe orën e caktuar. Me anë të një shkrese tjetër, me numër protokolli 37881, datë 24.10.2025, Prokuroria e Posaçme kërkoi paraqitjen e saj sot, më 31 tetor, në orën 15:00.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



