Si u fut Muçi Shaljani në AMP? Merkaj zbulon vendimet e fundit
Drejtori i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Eduart Merkaj, u paraqit në Komisionin për Çështjet e Brendshme, ku dha sqarime edhe për atentatin e ndodhur disa ditë më parë në Rinas, ku humbën jetën Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani.
Merkaj theksoi se institucioni që ai drejton ka reaguar menjëherë, sidomos sa i përket përfshirjes së një efektivi të AMP-së në këtë ngjarje. Ai bëri të ditur se ka kërkuar një verifikim të plotë të gjithë strukturës. Sipas tij, AMP ka depozituar një kallëzim në Prokurorinë e Tiranës në mënyrë që të hetohen të gjithë personat që mund të kenë pasur rol në punësimin e Shaljanit, nëse dyshohet për shkelje të ligjit.
“Situata ishte jashtëzakonisht e rëndë. Janë marrë masa ndaj çdo punonjësi që ka qenë i përfshirë në procedurat e emërimit dhe kontrollit. Ne kemi bërë kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës mbi mënyrën se si është kryer procesi i punësimit të tij. Kam ndërmarrë masa të menjëhershme; vetëm sot është larguar një punonjës nga AMP. Që në ditën e parë të detyrës kam kërkuar verifikim të plotë të stafit dhe shkëmbim informacioni me agjenci të tjera për procedurat e punësimit”, u shpreh Merkaj.
Ai shtoi se gjatë shqyrtimit të dokumentacionit të punësimit të Shaljanit janë konstatuar parregullsi dhe, për të shmangur çdo konflikt interesi brenda vetë AMP-së, çështja i është kaluar Prokurorisë së Tiranës për hetime të mëtejshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



