Si u katandis PD ?!
Klodian Tomorri
Problemi thelbësor është se kemi kaluar nga PD-ja e Ridvan Bodes, Genc Rulit, Majlinda Bregut, Florion Mimes, Selami Xhepes e të tjerë, tek një PD ku i gjithë grupi parlamentar del dhe thotë: “Na gënjeu Rama që të firmosnim”.
Ajo që i tha Çim Peka Berishës për diferencën e madhe intelektuale nuk është e vërtetë vetëm për këtë dyshe; është e vërtetë kapilarisht për të gjithë strukturën drejtuese të partisë.
Deficiti intelektual në elitën e PD-së është bërë strukturor. Pra, nuk bëhet fjalë thjesht për disa individë që “nuk kuptojnë shumë”, por që gjithsesi nuk prishin punë në panoramën e madhe. Këtu kemi të bëjmë me një problem themelor.
Deficitet strukturore janë jashtëzakonisht të vështira për t’u çrrënjosur, në çdo fushë: nga ajo fiskale deri te dija dhe kapaciteti analitik.
Nuk e dija, por një mik më tha dje se Ledi Bianku qenka pranë PD-së. Atëherë lind pyetja: a kishte ky vend kandidat më të përsosur se Ledi Bianku për Avokat të Popullit? Jo, nuk kishte. Nuk e gjen dot.
Gjyqtar në Strasburg, profesionist i jashtëzakonshëm, pa asnjë cen në integritet.
Të kesh një aset të tillë dhe të kryesh pacavuren e firmave që u bë, do të thotë se suficiti i budallallëkut në PD ka arritur nivele asgjësuese.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



