E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Si u thur plani i vrasjes së prokurorit Ndoji me aplikacionin “Sky”, i shumëkërkuari i arrestuar në Abu Dhabi, njihej me nofkën ‘Bad’
Lajme

Si u thur plani i vrasjes së prokurorit Ndoji me aplikacionin “Sky”, i shumëkërkuari i arrestuar në Abu Dhabi, njihej me nofkën ‘Bad’

Pak ditë më parë emisioni investigativ ‘Në shënjestër’ në News24 i kushtoi një dokumentar atentatit ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoji. Ngjarja në fjalë ndodhi në nëntor të 2019-ës, në autostradën Tiranë-Durrës, te mbikalimi i Shkozetit. Kujtojmë se nga të shtënat me armë zjarri mbeti i vrarë shoferi i Ndojit, Andi Maloku.

Ndërkohë duke marrë shkas nga arrestimi i të shumëkërkuarit Amar (Dritan) Shkëmbi, me urdhër të SPAK, në Abu Dhabi, po risjellim  dokumentarin. Në dosjet dhe përgjimet e specialistëve përmes aplikacionit ‘Sky’, u ‘zbërthye’ dhe grupi kriminal i Plaurent Dervishajt. Mes këtyre përgjimeve tregohen dhe nofkat e gjithsecilit person të përfshirë, ku Dritan Shkëmbi njihej me emrin ‘Bad’.

NË SHËNJESTËR

Ish-prokurori Arjan Ndoji ra pre e një atentati më 1 nëntor 2019 në mbikalimin e Shkozetit në Durrës. Në këtë ngjarje mbetën të plagosur edhe miku i tij Aleksandër Laho i njohur si ‘Rrumi’ si dhe humbi jetën në spital, shoferi i prokurorit Ndoji, Andi Maloku, viktima më e pafajshme e kësaj historie.

Një dosje voluminoze e publikuar nga emisioni “Në Shënjestër” në News24, hedh dritë jo vetëm për mënyrën se si u krye atentati ndaj prokurorit Ndoji dhe mikut të tij ‘Rrumi’, por edhe se si plani për asgjësimin e tyre nisi disa muaj para se skenari të vihej në jetë.

Sipas dosjes, plani për ekzekutimin e prokurorit Arian Ndoji dhe mikut të tij “Rrumi”, thuhet se nisi fillimisht me shkarkimin e aplikacionit “SKY”.

Organizatorët nisën të përdorin aplikacionin me qëllim që të mos përgjoheshin nga organet ligjzbatuese.
Grupi kriminal i Plaurent Dervishaj, e cilësonte të padepërtueshëm aplikacionin në telefon, por nuk mendonin kështu hetuesit francezë dhe ekspertët e tyre të specializuar në ç’kodimin e aplikacioneve të tilla, sado të sofistikuara që ato mund të jenë.

Siç del edhe nga video që e publikon emisioni “Në Shënjestër”, një ndihmë të vyer në këtë rast ia kanë dhënë edhe vetë përdoruesit e saj, të cilët kanë lënë gjurmët e tyre të krimit në këtë aplikacion, gjatë bisedave që kanë zhvilluar.

“Referuar bisedave të realizuara nga përdoruesit e ‘SKY’ midis datave 13 gusht 2019 dhe 23 shtator 2019, ndërmjet shtetasve Julian Meçaj dhe Amar Shkëmbi, del në pah sigurimi i kushteve dhe masat paraprake që janë marrë nga autorët për realizimin e vrasjes së Arian Ndojit dhe Pëllumb Muharremit (Aleksandër Lahos). Pasi për këtë qëllim, këta persona kanë shkarkuar në telefonat e tyre aplikacionin “SKY”, me qëllim për të mos u përgjuar dhe identifikuar”, thuhet në dosje.

Njeriu kyç që ishte i interesuar direkt për eliminimin e Rrumit, rezulton të jetë Plaurent Dervishaj. Ai është një personazh shumë i njohur, dikur pjesë e bandës së Durrësit, por që do të merrte pafajësinë pas një sage të gjatë gjyqësore. Në operacionin ndaj Arjan Ndojit dhe Rrumit, Dervishaj mban pseudonimet ‘Shoku’ apo ‘Plaku’.
Dervishaj, vetëm 6 muaj para atentatit ndaj prokurorit Ndoji dhe Rrumi, kishte rënë edhe vetë pre e një prite të armatosur, bashkë me dy miqtë e tij, Julian Meçaj dhe Bashkim Haxhiaj.

Bëhet fjalë për atentatin e ndodhur më 20 qershor 2019, në fshatin Koxhas të Shijakut për të cilin ai dyshonte se ishte organizuar nga “Rrumi i Shijakut”, një rival i fortë i tij në luftën për territor dhe pushtet në qytetin e Durrësit.

Ky duket të ketë qenë edhe motivi për të cilin Dervishaj nisi të thurë planin e tij të hakmarrjes.

“Në bazë të bisedave të kryera, grupi organizator i atentatit të datës 1 nëntor 2019, ndaj prokurorit Arjan Ndoji dhe Aleksandër Lahos, me shprehjen ‘Shoku’ i referohen Plaurent Dervishaj, me shprehjen ‘Fshatari’ personit nën hetim Bledar Polovina. Me shprehjen ‘Bad’ Amar Shkëmbit (alias Dritan Shkëmbi). Ndërsa me ‘Doku’, bashkëbiseduesit i referohen të pandehurit Redian Rraja; me ‘XONI”, personit nën hetim Ramazan Rraja; me ‘Kili’, Genti Ndërjakut (alias Kili Ndërjaku dhe Ekil Ndërjaku); dhe me ‘Dicio’, i referohen personit nën hetim Endrit Sinanit. Ndërsa Marsel Deçkës i referohen me kodin ‘Kështjella’”, thuhet në dosjen hetimore.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.