Si u zbulua droga në Port, ja alarmi i ‘frikshëm’ që ka dhënë DEA amerikane për Shqipërinë
Një tjetër sasi droge u sekuestrua nga Policia gjatë ditës së djeshme në kontejnerët e kompanisë “Alba Exotic Fruit”, të cilët janë ankoruar në portin e Durrësit. Sipas Policisë, bëhet fjalë për 7.7 kilogramë drogë e fshehur në ambientet e jashtme të kontejnerit.
MBËRRITJA E NGARKESËS
Mësohet se kontejneri kishte mbërritur në portin e Durrësit 17 ditë më parë dhe ishte vendosur në vendin e kontejnerëve me risk.
Policia e Durrësit dhe task-forca e instaluar prej disa kohësh në port vazhdojnë kontrolle të imtësishme te pjesa më e madhe e kontejnerëve që vijnë nga Amerika Latine.
“Vijon operacioni policor i koduar ‘Rada’, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike. Nga Task-Forca permanente e përbërë nga Policia Kufitare, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe autoritet doganore të portit janë gjetur dhe sekuestruar lëndë narkotike kokainë në një nga kontejnerët për llogari të firmës ‘Alba Exotic Fruit’, tjetër sasi kokaine është sekuestruar ditën e sotme (dje).
Si rezultat i kontrollit të imtësishëm në pjesën fundore te kapakët e motorëve frigoriferikë, u gjetën dhe u sekuestruan 8 pako me lëndë narkotike të dyshuara kokainë, me peshë 7.7 kilogramë”, sqaroi Policia, duke theksuar se Task-Forca permanente që operon në portin e Durrësit vijon veprimet hetimore, nën drejtimin e SPAK-ut.
ZBULIMI I KOKAINËS
Në vijim të kontrolleve të kontejnerëve që vijnë për llogari të kompanisë së bananeve, e cila e ka bazën e saj në zonën e Kombinatit në Tiranë, Policia zbuloi 8 pakot me kokainë, e cila rezulton të ishte fshehur në pjesën e kapakëve pranë vendit të ajrimit.
Kontrollet janë kryer të ndihmuar edhe nga qentë antidrogë. Kjo është hera e pestë që kjo kompani përdoret për transportin e drogës nga Ekuadori drejt Shqipërisë.
OPERACIONI
Agjencia Amerikane Kundër Drogës (DEA) u ka dërguar informacione autoriteteve shqiptare pak muaj më parë në lidhje me sasinë e madhe të kokainës që ishte vendosur në kontejnerët me banane në Ekuador dhe që kishte si destinacion përfundimtar Shqipërinë.
DEA ka dhënë edhe një shifër mbi sasinë e kokainës së ngarkuar dhe e ka nisur këtë informacion në Shqipëri.
Për këtë arsye, autoritetet shqiptare vazhdojnë kontrollet në kontejnerët e kompanisë së bananeve.
Burimet bënë me dije për “Panorama” se janë mbi 60 kontejnerë që janë ndarë nga të tjerët dhe të konsideruar me “risk”, që po kontrollohen intensivisht në portin e Durrësit.
Puna për kontrollin e tyre kërkon kohë për shkak edhe të faktit se në port ka vetëm një skaner, si dhe duhet të kontrollohen edhe kontejnerët e ardhur nga vendet e tjera.
Pavarësisht se Policia ka prangosur më herët administratorin e kompanisë, ky i fundit nuk ka dhënë asnjë informacion, duke mos pranuar të bashkëpunojë me autoritetet e drejtësisë.
Për këtë arsye, kontrollet kanë vazhduar prej javësh në kontejnerët që janë nisur në periudha të ndryshme nga Amerika Latine drejt portit bregdetar të Durrësit.
Ndërsa kontrollet vazhdojnë, ende nuk është zbuluar sasia e plotë e sinjalizuar nga autoritetet amerikane.
NGARKESA E PESTË
Sasia e lëndës narkotike e sekuestruar një ditë më parë është ngarkesa e pestë që i sekuestrohet kompanisë “Alba Exotic Fruit”. TaskForca vijon aksionin që prej datës 13 korrik, kur edhe u sekuestrua sasi prej 11 kilogramësh kokainë.
Asokohe dhe në vazhdim në kontejnerët e kësaj kompanie, me pronar vëllezërit Bajron Gumeni dhe Eduart Dauti, i pari i arrestuar dhe i dytë i shpallur në kërkim, janë sekuestruar edhe tri ngarkesa të tjera përgjatë këtyre muajve, përkatësisht më 23 korrik u gjetën 6.5 kilogramë të tjera, të cilat ishin fshehur në kontejnerët e po së njëjtës kompani. Më 29 korrik 2021 kompanisë iu gjetën dhe u sekuestruan 7.25 kilogramë kokainë po në vijim të operacionit “Rada”.
Kompania “Alba Exotic Fruit” rezulton e përmendur edhe më parë na “historinë” me trafik droge ku në vitin 2019, në kontejnerët e kësaj kompanie, në Pire të Greqisë, u gjetën 137 kg drogë që u zëvendësua me oriz me GPS nga autoritetet. Për kokainën e ngarkuar në kontejnerët e “Alba Exotic Fruit” në 2019-ën u arrestuan Altin Myslihaka dhe Ardian Begaj dhe u shpall në kërkim Gentian Malindi.
Më shumë se një ton kokainë është sekuestruar nga Policia gjatë muajve të fundit, e cila ka hyrë në vendin tonë nëpërmjet portit të Durrësit. Sasia më e madhe u kap më 18 qershor, plot 325 kg drogë, që kalonte tranzit në territorin shqiptar me destinacion Italinë. Sasia e kokainës u gjet nga Policia e Durrësit në serbatorin e një kamioni me targa të huaja.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



