“Sipërmarrja në Shqipëri, në mëshirë të parave të drogës”
Gjin Gjoni, deputet i Partisë Demokratike, ka reaguar pas publikimit të raportit të fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit mbi klimën e investimeve në Shqipëri, duke e cilësuar atë si një provë të qartë të shqetësimeve të përsëritura nga opozita ndër vite.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Gjoni theksoi se raporti i DASH përforcon pretendimet për një takim të zhvilluar në Aruba mes përfaqësuesve të karteleve të drogës dhe qeverisë shqiptare — një çështje që së fundmi ka qenë në qendër të akuzave të Partisë Demokratike dhe të vetë kryetarit të saj, Sali Berisha.
Sipas Gjonit, raporti tregon se Shqipëria po përballet me një realitet të rrezikshëm ekonomik, ku sipas tij, paratë e krimit të organizuar po ndikojnë direkt në sektorë si ndërtimi dhe turizmi. Ai akuzon kryeministrin Edi Rama për rolin e tij në lejimin e këtij fenomeni, duke kërkuar ndërhyrjen urgjente të strukturave të drejtësisë.
“Ky raport është një sinjal alarmi për vendin. Ai përshkruan një klimë ku pasuritë e paligjshme deformojnë tregun dhe dëmtojnë konkurrencën, ndërsa investitorët ndihen të kërcënuar nga korrupsioni, presioni politik dhe ndikimi i grupeve kriminale”, shkruan Gjoni.
Ai shton se disa kompani amerikane janë përballur me mosmarrëveshje serioze në Shqipëri, përfshirë çështje që kanë shkuar deri në arbitrazh ndërkombëtar, çka sipas tij tregon dështimin e reformës në drejtësi për të garantuar një sistem të pavarur dhe të drejtë.
Në përmbyllje të reagimit të tij, Gjoni përsërit se raporti i DASH përforcon pretendimet për përfshirje të qeverisë në pastrimin e parave të krimit të organizuar dhe kërkon veprim të menjëhershëm nga SPAK.
Postimi i plotë:
Raporti i DASH konfirmon takimin në Aruba, damkos Edi Ramën si njeriun që e la sipërmarrjen dhe Shqipërinë në mëshirë të parave të drogës!
Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit konfirmoi edhe njëherë alarmin që kemi ngritur prej vitesh: sipërmarrja në Shqipëri është në mëshirë të parave të drogës, për të cilat Edi Rama ka hequr pengesat, në mënyrë që të pastrohen në Shqipëri përmes ndërtimeve dhe investimeve strategjike që mbajnë firmën e tij.
Në raportin e DASH thuhet shprehimisht se: “Komuniteti i biznesit raporton se fluksi i madh i të ardhurave të paligjshme nga trafikimi i drogës, kontrabanda, evazioni fiskal dhe korrupsioni shtrembëron konkurrencën në treg” duke dëmtuar kështu mijëra sipërmarrës, kryesisht ata që merren me eksporte.
Nga ana tjetër, shumë investitorë të huaj shprehen se mund të jenë objektiva të zhvatjes nga administrata publike, media dhe grupet kriminale.
Në raport evidentohet se disa investitorë amerikanë janë përballur me mosmarrëveshje tregtare të diskutueshme me subjekte publike dhe private, përfshirë disa çështje që kanë përfunduar në arbitrazh ndërkombëtar, çka dëshmon se as “drejtësia e re” nuk e ka kuruar korrupsionin në sistemin gjyqësor, i cili është kthyer në një sistem gjobëvënës për qytetarët dhe sipërmarrjen.
Ky raport është dramatik për Shqipërinë dhe konfirmon edhe njëherë takimin e zhvilluar në Aruba mes përfaqësuesve të karteleve të drogës dhe qeverisë shqiptare, ku është diskutuar pastrimi i miliarda eurove të narkotrafikut në ndërtim dhe turizëm.
Njeriu që u ka dhënë garanci karteleve të drogës është Edi Rama dhe SPAK duhet të vihet në lëvizje!#GG#.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



