Situata kaotike nga moti i keq, BE: Po ndjekim me shqetësim situatën
Delegacioni i Bashkimit Europian ka reaguar lidhur me situatën e përmbytjeve në Shqipëri, duke shprehur shqetësim për zhvillimet e fundit të shkaktuara nga moti ekstrem në disa zona të vendit.
Përmes një reagimi zyrtar, Delegacioni i BE-së bën me dije se Drejtoria e Përgjithshme për Mbrojtjen Civile dhe Ndihmën Humanitare (DG ECHO) është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet shqiptare dhe po ndan informacione të rëndësishme, përfshirë edhe pamje satelitore nga sistemi Copernicus, për monitorimin e situatës në terren.
Bashkimi Europian thekson se, së bashku me shtetet anëtare, është i gatshëm të mbështesë qytetarët shqiptarë në përballimin e pasojave të motit ekstrem, përfshirë edhe përdorimin e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së, nëse lind nevoja.
Reagimi vjen në një moment kur përmbytjet kanë prekur disa qarqe të vendit, duke shkaktuar dëme materiale dhe duke detyruar autoritetet të ndërmarrin masa emergjente për mbrojtjen e banorëve.
Reagimi i Delegacionit të Bashkimit Europian:
“Delegacioni i Bashkimit Europian po e ndjek me shqetësim situatën e përmbytjeve në të gjithë Shqipërinë.
Drejtoria e Përgjithshme e Bashkimit Europian për Mbrojtjen Civile dhe Ndihmën Humanitare (DG ECHO) është në kontakt të ngushtë me autoritetet shqiptare dhe po ndan informacione të rëndësishme, si dhe pamje nga sateliti Copernicus.
Së bashku me shtetet anëtare, Bashkimi Europian është i gatshëm të mbështesë popullin shqiptar në përballimin e motit ekstrem, përfshirë edhe përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së.”
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



