S’ka kohë për eksperimente, Sylvinho i beson sulmit që sfidoi Anglinë
Në tre vitet në krye të Kombëtares Shqiptare, Sylvinho ka ndërtuar një identitet të qëndrueshëm, duke i qëndruar besnik një grupi të caktuar lojtarësh dhe një skeme të konsoliduar loje. Megjithatë, përballja ndaj Polonisë e ka detyruar teknikun të bëjë disa lëvizje të rëndësishme, kryesisht në repartin ofensiv.
Dëmtimi i Rey Manaj, një prej pikave kyçe të sulmit dhe lojtari më i besuar i trajnerit në majën e repartit ofensiv, ka prishur planet fillestare. Në mungesë të tij dhe për shkak të formës jo optimale të disa futbollistëve, Sylvinho është detyruar të rikonfigurojë mënyrën e lojës në sulm.
Në sfidën që do të luhet në Varshavë, Shqipëria pritet të nisë me një treshe sulmuese të përbërë nga Arbër Hoxha, Nedim Bajrami dhe Myrto Uzuni. Ky kombinim është provuar edhe më parë në ndeshjen ndaj Anglisë në “Air Albania”, ku pavarësisht mungesës së golit, skuadra tregoi qartësi dhe lëvizshmëri në fazën sulmuese.
Nga stoli pritet të japin kontribut Ernest Muçi dhe Anis Mehmeti, dy nga lojtarët më në formë të momentit, të cilët mund të bëjnë diferencën në varësi të ecurisë së takimit.
Në mesfushë nuk priten ndryshime, ku rolin e balancës do ta mbajnë Kristjan Asllani, Shehu dhe Qazim Laçi, duke lidhur mbrojtjen me sulmin dhe duke garantuar stabilitet në lojë.
Ndërkohë, mbrojtja mbetet e paprekur, me dyshen Berat Gjimshiti dhe Arlind Ajeti në qendër, të mbështetur nga Mario Mitaj në krahun e majtë dhe Elseid Hysaj në të djathtë.
Në portë, Shqipëria vjen me siguri maksimale falë formës së shkëlqyer të Thomas Strakosha, i cili pritet të jetë një garanci e fortë mes shtyllave në këtë përballje të rëndësishme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



