Premtimi i Sylvinhos: Bëj duet me Dua Lipën po u kualifikuam në Botëror
Në krye të pankinës së Kombëtares shqiptare, Sylvinho ka arritur rezultate të konsiderueshme, duke e çuar Shqipërinë deri në fazën “play-off” të Kualifikueseve të Botërorit.
Në një intervistë të dhënë së fundmi për mediat në Brazil, trajneri kuqezi ka folur për eksperiencën e tij në Shqipëri, objektivat dhe jetën në vendin tonë.
“Të jesh trajner i një Kombëtareje është një përgjegjësi shumë e madhe, sepse përfaqëson të gjithë kombin dhe gjithë vendin. Prej tre vitesh jam në Shqipëri dhe kemi arritur rezultate shumë pozitive. Kam marrë shumë mesazhe edhe nga brazilianë pas përfundimit të eliminatoreve, të cilët bëjnë tifo për Shqipërinë që një trajner brazilian të arrijë në Botëror. Do të ishte diçka e jashtëzakonshme”, u shpreh Sylvinho.
Tekniku brazilian foli gjithashtu me vlerësime edhe për Shqipërinë si vend:
“Shqipëria është një vend shumë i sigurt dhe po zhvillohet me ritme shumë të shpejta në të gjitha aspektet. Qytetet janë të bukura, ndërsa kulinaria është e shkëlqyer. Jetoj dhe punoj i qetë në Tiranë, me mbështetjen e federatës dhe të presidentit, i cili është shumë i pasionuar. Sa i përket Kombëtares, kemi një miks lojtarësh. Shumica aktivizohen jashtë vendit, në kampionate të forta si Italia, Spanja apo Anglia. Jam i kënaqur me të gjithë dhe rezultatet kanë qenë shumë të mira”.
Gjatë intervistës nuk munguan as notat e humorit. I pyetur nëse do të bëhej një nga figurat më të njohura në Shqipëri, Sylvinho u përgjigj me shaka:
“Nuk e di nëse do të jem më i famshmi, por ndoshta mund të bëjmë një duet me Dua Lipën nëse kualifikohemi”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



