Shkruajti historinë me Shqipërinë, De Biazi: Jam gati të rikthehem!

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Ish-trajneri i Kombëtares shqiptare, De Biazi, ka komentuar situatën aktuale të ekipit kuqezi dhe perspektivën e tij gjatë një interviste në emisionin “Off the Record”. Ai theksoi se Shqipëria e sotme paraqet një nivel më të lartë krahasuar me periudhën kur u largua në vitin 2017.

Sipas De Biazit, përbërja aktuale e skuadrës përfshin lojtarë cilësorë dhe të rinj që aktivizohen në kampionate të ndryshme jashtë vendit, duke rritur potencialin konkurrues të ekipit.

“Sot Shqipëria nuk është në ato kushte që e lashë unë më 2017-ën, por është një skuadër me perspektiva më të larta, sepse ka shumë lojtarë të mirë që janë pjesë e skuadrave bazë, si dhe të rinj që luajnë jashtë dhe mund të kontribuojnë për ta rritur më tej ekipin,” u shpreh ai.

Tekniku italian nënvizoi rëndësinë e drejtimit të duhur për Kombëtaren, duke theksuar se përveç aftësive profesionale, trajneri duhet të ketë edhe lidhje emocionale me ekipin.

“Duhet një trajner që e ndien Shqipërinë si gjënë më të madhe që ka në duar dhe di ta menaxhojë atë. Kjo është thelbësore për të ardhmen e skuadrës.”

I pyetur mbi mundësinë e rikthimit në krye të pankinës kuqezi, De Biazi u shpreh i rezervuar për rolin konkret, por nuk e përjashtoi një kontribut të ri në të ardhmen.

“Është një pyetje e vështirë. Ndonjëherë mendoj pse u largova në atë kohë, sepse mund të kisha vazhduar. Sot nuk e di nëse si trajner, por do më pëlqente të rikthehesha dhe të jepja një kontribut për Presidentin, për ta çuar më tej skuadrën tonë,” tha ai.

Në fund, ish-trajneri i Shqipërisë komentoi edhe teknikun aktual, Sylvinho, duke e mbrojtur nga kritikat pas moskualifikimit në Kupën e Botës.

“Silvinjo nuk është për t’u kritikuar, mundet vetëm të qajë për rezultatin që nuk është arritur. Nuk varej prej tij, pasi kishte zgjedhur skuadrën më të mirë që mendonte në atë moment,” u shpreh De Biazi.

Publikuar nga Publik Media