E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Skandal! Rama ndalon në kufi deputetët shqiptarë nga Maqedonia e Veriut
Lajme

Skandal! Rama ndalon në kufi deputetët shqiptarë nga Maqedonia e Veriut

Kush mbështet protestën shpallet “non grata”?

Protesta qytetare kundër qeverisë ka hyrë në ditën e 39-të, ndërsa krahas përballjes në shesh, po shtohen edhe debatet mbi reagimin e institucioneve ndaj personave që shfaqin mbështetje për tubimet.

Pas rastit të aktivistes nga Kosova, Ikballe Huduti, e cila u sulmua publikisht nga kryeministri Edi Rama si person i lidhur me regjimin iranian dhe më pas u shpall “person i padëshiruar” për 15 vite nga Ministria e Brendshme, një tjetër episod ka hapur debat politik dhe diplomatik.

Sipas televizionit TV21, në pikën kufitare të Qafë Thanës janë ndaluar tre zyrtarë nga Maqedonia e Veriut: koordinatori i grupit parlamentar të VLEN-it, Bekim Qoku, deputeti Adnan Azizi dhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Hasim Murtezani.

Tre zyrtarët kanë deklaruar se janë mbajtur për rreth një orë në pikën kufitare pa iu dhënë fillimisht një shpjegim, pavarësisht se udhëtonin me pasaporta diplomatike. Sipas tyre, më pas u është komunikuar se nuk mund të hynin në territorin shqiptar.

Dyshimet për mbështetje ndaj protestës

Sipas raportimit të TV21, ndalimi i tyre lidhet me dyshime se ata kanë mbështetur ose kanë pasur rol në organizimin e protestave qytetare në Tiranë, të cilat njihen si “Revolucioni Flamingo”.

Ky zhvillim vjen pak ditë pasi kryeministri Edi Rama ngriti publikisht çështjen e pjesëmarrjes së shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut në protestat kundër qeverisë.

Rama ka kundërshtuar përdorimin e termit “diasporë” për qytetarët shqiptarë nga trojet jashtë kufirit që marrin pjesë në protesta në Tiranë, duke argumentuar se ata nuk duhet të ndikojnë në zhvillimet politike të Shqipërisë.

Kjo linjë është ndjekur edhe nga figura të tjera të Partisë Socialiste. Deputeti socialist Ulsi Manja deklaroi se “nuk ka hajvanllëk më të madh se sa të vish nga Kosova për të rrëzuar qeverinë në Tiranë”, duke kërkuar që institucionet e Kosovës të mbanin qëndrim ndaj pjesëmarrjes së protestuesve.

Nga akuzat për ndikim të huaj te ndalimet në kufi

Gjatë javëve të fundit, kryeministri Rama ka ngritur vazhdimisht pretendimin se pas protestave mund të ketë interesa të huaja.

Fillimisht u përmend mundësia e ndikimit iranian, ndërsa më pas disa protestues u identifikuan publikisht.

Rasti i Ikballe Hudutit mori një dimension më të madh pasi ajo u shpall “person i padëshiruar” dhe iu ndalua hyrja në Shqipëri për 15 vite.

Tashmë, ndalimi i tre zyrtarëve nga Maqedonia e Veriut ka hapur një tjetër debat: nëse masat e ndërmarra nga autoritetet po kufizohen vetëm te individët që marrin pjesë në protesta, apo po shtrihen edhe ndaj personave që shfaqin mbështetje politike për to.

Organizatorët: Protestuesit po identifikohen

Organizatorët e protestës kanë denoncuar prej javësh se pjesëmarrësit në tubime fotografohen dhe identifikohen nga autoritetet, ndërsa disa prej protestuesve janë shoqëruar ose proceduar nga policia.

Në këtë klimë, zhvillimet e fundit kanë krijuar një zinxhir ngjarjesh që lidhen me të njëjtën çështje: fillimisht shpallja “non grata” e një aktivisteje nga Kosova dhe më pas ndalimi i tre zyrtarëve nga Maqedonia e Veriut, të cilët pretendojnë se janë penalizuar për qëndrimin e tyre ndaj protestës.

Ndërsa qytetarët pritet të mblidhen sërish para Kryeministrisë, debati tashmë është zgjeruar përtej protestuesve në shesh: a po përballet qeveria vetëm me kundërshtarët brenda vendit, apo edhe me çdo mbështetës të tyre që vjen nga jashtë kufijve të Shqipërisë?

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.