Skandal tjetër si ‘5D’! Aleksandër Çifligu, Ilir Pandeli, Kostika Gjylametit tendera me drejtorin e bashkisë Dritan Delija

Në tetor të vitit 2017, bashkëshorti i moderatores Jonida Shehu, Aleksandër Çifligu, bashkëshorti i gazetares Ola Xama allias Basjola Pandeli, Ilir Pandeli dhe Dritan Delija (më pas drejtor i Projekteve Strategjike pranë Bashkisë Tiranë) themelojnë kompaninë e reklamave dhe organizimit të eventeve Kuadr.com (L72216039R).

Kompania ka si adresë Rruga Mustafa Matohiti, pallati 7, shkalla 2, kati 8, ndryshuar më pas.

Është e njëjta adresë, i njëjti pallat dhe madje i njëjti kat me ballkonin në të cilin shfaqet çdo natë Sali Berisha duke mallkuar SPAK, Altin Dumanin dhe amerikanët.

Si administrator të kompanisë caktojnë bashkëshortin e deputetes socialiste Blerina Gjylameti, Kostika Gjylameti.

Në shkurt të vitit 2018, Kostika Gjylameti është larguar nga kompania, por ai vijon të marrë para nga kompania Kuadr.com, të paktën deri në vitin 2022.

Pagesat konfirmohen nga deklarata e pasurisë së deputetes Gjylametit të vitit 2022, ku Kostika deklaron të ardhura nga Kuadr.com.

Në mars të vitit 2018, Aleksandër Çifligu i blen aksionet Dritan Deliajt për 20 mijë lekë.

Ka dyshime se Deliaj mund t’i ketë shitur aksionet fiktivisht, pasi më pas shfaqet në poste të rëndësishme publike në degë të qeverisë dhe më pas në degë të Bashkisë së Tiranës.

Deri në shkurt të vitit 2019, shumicën e aksioneve në kompaninë Kuadr.com i kishte Ilir Pandeli, bashkëshorti i gazetares Ola Xama allias Basjola Pandeli.

Kompania përfitonte para publike nga pushteti qendror dhe lokal.

Në 9 shkurt të 2019, Ilir Pandeli ia shet aksionet ortakut Aleksandër Çifligu për 75 mijë lekë.

Denoncimi i opoizitës

Në gusht të vitit të kaluar, shefja e zyrës së Anti-Korrupsionit në PD-në e grupimit të “Rithemelimit”, Genta Vangjeli denoncoi një skemë të pretenduar korrupsioni me kompaninë Kuadr.com.

Dritan Delija është Drejtori i Projekteve Strategjike pranë bashkisë Tiranë prej Dhjetorit 2020 e në vijim. Sigurisht, kjo nuk përbën shkelje dhe as krim. Punonjës të ndershëm të administratës janë thelbësorë në mbajtjen në këmbë dhe mbarëvajtjen e një shteti serioz.Problematika e postit të z. Delija fillon në momentin kur, sipas dokumenteve zyrtare, Bashkia Tiranë, nga viti 2021 deri Maj 2023, ka disbursuar vlerën prej 802 milion lekësh për shoqërinë KUADËR.COM.

Kjo shumë ka shkuar për përfshirjen e kuadër.com në 6 projekte kulturore të bashkisë të cilat janë si më poshtë:

Koncerti Notre Dame de Paris- Maj 2023

Koncerti Nikos Vertis Prill 2023

Koncertet e Fundvitit Dhjetor 2022

Tirana Fan Zone Nëntor 2022

Koncerti ‘Rita Ora’ në Korrik 2022

‘Tirana Fan Zone’ Korrik 2021

Për të kuptuar shkeljen duhet bërë publik profili i kompanisë KUADËR.Com. Ajo u rregjistrua pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit në 16 Tetor 2017. Pronarët fillestarë ishin Dritan Delija, Aleksander Cifligu dhe Ilir Pandeli.

Në Mars 2018 Dritan Delija kalon aksionet e veta tek 2 ortakët e tjerë të shoqërisë.

Skema është e qartë: Deliaj ka pranuar postin e lartë në Bashkinë e Tiranës, duke ua kaluar ‘me letra’ pronësinë dy ortakëve të vet në biznes dhe gjatë kohës në detyrë, me bujari të madhe, i ka kaluar kompanisë në të cilën vetë ishte aksioner legal dhe tani është aksioner i fshehtë, 802 milion lekë për 6 evente kulturore.

Dritan Delija ka një rekord të ngjashëm edhe kur ka qenë në detyra të tjera shtetërore.

Nga Korrik 2018 deri Nëntor 2020 ai ka punuar pranë Agjencisë Nacionale të Diasporës si Drejtor Ekzekutiv. Nga Janar 2019 deri Mars 2019, çuditërisht ose aspak çuditërisht, KUADËR.COM ka përfituar 20 pagesa nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare. Këto pagesa lidhen me likujdimet për samite të Diasporës, në vlerën totale të 97 milion lekëve.

Pra, Drejtori i Diasporës i ka dhënë kompanisë së tij një tjetër shumë të konsiderueshme për organizime samitesh.

A është rastësi që ish ortakët zyrtarë të Dritan Deliajt përfitojnë fonde publike nga institucionet ku ka qenë, apo është, punëmarrës Dritan Deliaj? Apo e vërteta është se Dritan Deliaj merr përqindjen e tij si ortak i fshehur i KUADËR.COM?

I bëjmë thirrje Prokurorisë të nisë hetimet për shkelje dhe abuzim të detyrës shtetërore. Është e papranueshme që zyrtarë shtetërorë zhvillojnë aktivitet privat me para publike.

I bëjmë thirrje publikut, apo zyrtarëve shtetërorë, që kanë njohuri rastesh të ngjashme abuzimesh të denoncojnë pranë Task Forcës së Anti-Korupsionit në Partinë Demokratike në kushtet e anonimatit të plotë dhe ruajtjes se privatësisë.

Ndalimi i denoncimit

Që nga gushti 2023, opozita, krahu i Rithemelimit nuk e ka denoncuar dhe as përmendur më Kuadr.com.

Një nga arsyet mund të jenë lidhjet e kësaj kompanie me Familjen Berisha dhe me histori pastrimi parash të Shkëlzenit.

Genta Vangjeli ose nuk ka qenë e informuar për këto lidhje dhe i kanë tërhequr veshin pas deklaratës për shtyp, ose Shkëlzeni e ka urdhëruar për t’a lexuar deklaratën për arsye të prishjes në pazare.

Grupi organizon aktivitetet e Sali Berishës?

Grupi i kompanisë Kuadr, bashkëshorti i moderatores Jonida Shehut, Aleksandër Çifligu, bashkëshorti i gazetares Ola Xama allias Basjola Pandeli, Ilir Pandeli, drejtori Dritan Delija dhe bashkëshorti i Blerina Gjylametit, Kostika Gjylamenti, dyshohet se mbulojnë organizimin e eventeve të Foltores me paratë e pista të Shkëlzenit.

Për shkak të këtyre interesave, Blerina Gjylamenti, dyshohet se ka shfrytëzuar mandatin e deputetes, duke tentuar të nxjerrë nga arresti shtëpiak Sali Berishën, të cilin e ftoi për të dëshmuar në komisionin hetimor për sistemin TIMS.

Akuzat e Lulzim Bashës

Në 13 dhjetor 2021, kryetari i PD Lulzim Basha deklaroi se bashkëshorti i deputetes socialiste Blerina Gjylameti ka sjellë nga Italia skenografinë për Kuvendin e 11 dhjetorit në stadiumin “Air Albania”, kur Sali Berisha, përmes një procesi anti-statutor dhe i panjohur nga gjykata, mori partinë, duke shkarkuar Bashën, i cili në shtator ishte distancuar nga Berisha pas shpalljen non grata nga SHBA.

Blerina Gjylameti i thotë Enkelejd Alibeajt dy javë më parë se deri në datë 11 do jesh ti. Bashkëshorti kishte një emër Kostika, ose Kostaqi. Është aksioner, apo ka qenë menaxher në një kompani të lidhur me TV klan, që kanë sjellë nga Italia një skenë kushedi sa lekë kushton në stadium. Këto lekë janë paratë që merren nga korrupsioni. Ja ku e ke Trekënëdëshin e Bermudës. Blerina Gjylameti i thotë Alibejat pas datës 11 nuk do jesh më. Burri i vet sjellë skenën në Arenën e Hajnisë. Këta kujtojnë se janë ata që kanë qenë. Ja kam thënë Sali berishës nuk jamë më 17 vjeç kur jemi takuar, por jam 47 vjeç, prindër i 2 fëmijëve. Nuk ka trajton më si fëmijë”.

Blerina Gjylameti hodhi poshtë si shpifje akuzat e Luzim Bashës.

Kompania që thua nuk ka asnjë lidhje me mua, e me familjarët e mi e për këtë bashkë do shihemi në gjyq me shpresën që nuk do i shpëtosh drejtesisë si çdo herë me justifikime qesharake…”, tha ajo.

Ndërkaq, akuzat e Bashës u hodhën poshtë si shpifje edhe nga Rithemelimi tre vjet më parë.

Asokohe Berisha premtoi se “Kostot modeste të këtij organizimi do të bëhen transparente për mediat ditët në vijim”.

Premtimi për transparencën e shpenzimeve është përsëritur edhe disa herë të tjera nga Sali Berisha. Por, transparenca mungon.

Në fakt, shpenzimet e dukshme dhe marramendëse të Familjes Berisha që nga shtatori 2021 deri më sot, janë një sfidë më vete për SPAK.

Publikuar nga Publik Media