E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Skandali në Vlorë/ Dy truproja të Ermal Nufit   ishin pjesë e grupit sulmues
Lajme

Skandali në Vlorë/ Dy truproja të Ermal Nufit ishin pjesë e grupit sulmues

Përplasja mes dy grupeve në Vlorë merr përmasa të reja. Dy persona që shërbenin si truproja të Ermal Nufit dyshohet se kanë qenë pjesë e grupit që mbërriti pranë biznesit të Vasil Bedinajt. Pas ngjarjes, ata raportohet se janë larguar nga grupi i tij i shoqërimit.

Detaje të reja janë publikuar në lidhje me përplasjen e rëndë të regjistruar pranë një hoteli në zonën e Orikumit, ku u përfshinë persona të lidhur me biznesmenët Vasil Bedinaj dhe Luan Muça.

Sipas portalit “Kapitali”, mes personave që mbërritën në vendngjarje dyshohet se ndodheshin edhe dy truproja të Ermal Nufit. Të njëjtat burime pretendojnë se, pas zbulimit të përfshirjes së tyre, Nufi i ka larguar të dy nga grupi i shoqërimit.

Deri tani nuk ka një njoftim zyrtar që të konfirmojë identitetin, detyrën apo rolin konkret të dy personave gjatë ngjarjes. Autoritetet duhet të sqarojnë nëse ata janë punonjës të Gardës, të Forcave të Armatosura apo të ndonjë strukture tjetër shtetërore, si dhe nëse në momentin e përplasjes mbanin armë shërbimi.

Nëse informacioni konfirmohet, rasti përbën një skandal të rëndë institucional. Punonjës të armatosur dhe të paguar nga shteti do të rezultonin të angazhuar në një konflikt privat mes biznesmenësh.

Tetë automjete rrethuan biznesin

Ngjarja ndodhi pak para mesditës, kur Policia e Vlorës mori njoftim për një konflikt pranë një hoteli në Orikum. Telefonata u krye nga Vasil Bedinaj, i cili pretendoi se një grup personash të armatosur kishte mbërritur pranë biznesit të tij dhe po konfliktohej me të.

Pamjet e kamerave të sigurisë, të sekuestruara nga Policia e Shtetit, raportohet se tregojnë të paktën tetë automjete që mbërrijnë me shpejtësi dhe bllokojnë rrugën dhe hapësirën përpara kompleksit.

Nga automjetet zbresin disa persona, një pjesë e të cilëve janë të veshur me të zeza, dhe drejtohen drejt hyrjes së biznesit. Hetuesit po punojnë për identifikimin e secilit prej tyre dhe përcaktimin e rolit që kanë pasur.

Automjeti u përmbys gjatë ndjekjes

Pas njoftimit, forcat e policisë ngritën pika kontrolli në disa akse të Vlorës. Në afërsi të Pusit të Mezinit, efektivët konstatuan një automjet të dyshuar që po lëvizte me shpejtësi dhe u vunë në ndjekje të tij.

Gjatë tentativës për t’u larguar, drejtuesi humbi kontrollin dhe automjeti u përmbys. Brenda tij ndodheshin tre persona. Dy prej tyre mbetën të dëmtuar nga aksidenti, ndërsa personi i tretë nuk pësoi lëndime.

Gjatë kontrollit të automjetit, policia gjeti edhe një armë zjarri të llojit pistoletë. Tre personat janë marrë në pyetje për të sqaruar lidhjen e tyre me konfliktin dhe personat e tjerë që mbërritën pranë hotelit.

Konflikt për para apo për pronën në Palasë?

Në deklarimet e para pas ngjarjes, Bedinaj pretendoi se konflikti lidhej me një shumë të konsiderueshme parash. Burime të tjera e lidhin përplasjen me një sipërfaqe toke në Palasë, mbi të cilën po zhvillohet një projekt turistik.

Sipas këtij versioni, palët kishin lënë një takim në Orikum për të diskutuar mosmarrëveshjen. Takimi më pas ka degjeneruar në konfrontim fizik dhe dyshohet se gjatë tij janë përdorur edhe armë.

Policia nuk ka raportuar gjetjen e gëzhojave në vendin ku nisi konflikti. Për këtë arsye, përdorimi i armëve mbetet ende objekt hetimi.

Duhet hetuar zinxhiri institucional

Përveç dinamikës së përplasjes, hetimi duhet të përcaktojë nëse dy truprojat e përmendura ishin punonjës të një institucioni shtetëror, kush e kishte autorizuar shërbimin e tyre dhe në çfarë cilësie ndodheshin pranë grupit.

Duhet verifikuar gjithashtu nëse ata mbanin armë shtetërore, nëse ishin në orarin e shërbimit dhe nëse eprorët e tyre kishin dijeni për lëvizjet që kryenin.

Nën drejtimin e Prokurorisë është ngritur një grup i posaçëm hetimor. Po analizohen kamerat e sigurisë, dëshmitë e personave të përfshirë dhe provat e mbledhura në terren, me qëllim identifikimin e të gjithë pjesëmarrësve dhe zbardhjen e plotë të motiveve.

Pretendimi për përfshirjen e dy truprojave të Ermal Nufit mbetet i pakonfirmuar zyrtarisht. Personat e përmendur gëzojnë prezumimin e pafajësisë deri në një vendim përfundimtar të drejtësisë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.