E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Skandali i të dhënave personale, “Agi Kons” gjobitet me mbi 35 milionë lekë
Lajme

Skandali i të dhënave personale, “Agi Kons” gjobitet me mbi 35 milionë lekë

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka vendosur një gjobë të konsiderueshme ndaj kompanisë së ndërtimit “Agi Kons”, pas evidentimit të një sërë shkeljesh në përpunimin dhe mbrojtjen e të dhënave personale.

Sipas vendimit zyrtar, kompania ka publikuar foto dhe video të individëve pa provuar më parë marrjen e pëlqimit të tyre, duke cenuar drejtpërdrejt parimet bazë të ligjshmërisë në përpunimin e të dhënave.

Kontrolli i ushtruar ka nxjerrë në pah edhe një sërë problematikash të tjera, përfshirë mungesën e një kontrate të rregullt me kompaninë përpunuese “InterMedia”, mungesën e dokumentimit të aktiviteteve të përpunimit, si dhe masa të pamjaftueshme teknike dhe organizative për garantimin e sigurisë së të dhënave.

Po ashtu, është konstatuar se kompania nuk kishte kryer auditime të brendshme dhe nuk kishte vendosur procedura të qarta monitorimi. Mungonin gjithashtu planet për menaxhimin e riskut dhe rikuperimin e të dhënave, si dhe politikat për vazhdimësinë e biznesit në rast incidentesh. Një tjetër shkelje lidhet me mosnjoftimin e Komisionerit për nëpunësin përgjegjës për mbrojtjen e të dhënave personale.

Për këto shkelje, Komisioneri ka vendosur një gjobë prej 24 milionë lekësh për cenimin e parimeve të përpunimit dhe mungesën e pëlqimit të subjekteve. Ndërkohë, një tjetër masë administrative prej 11.11 milionë lekësh është dhënë për shkeljet që lidhen me dokumentimin, sigurinë e të dhënave dhe marrëdhëniet me subjektet përpunuese. Në total, gjoba ndaj kompanisë arrin në mbi 35 milionë lekë.

Shoqëria administrohet nga Alban Çinari, ndërsa pronar përfitues rezulton biznesmeni Gentian Sula, i cili zotëron indirekt të gjithë kapitalin përmes shoqërisë mëmë “UK Development Holding Limited”. Fillimisht, kompania është themeluar me aksione të ndara mes Arben Biçokut dhe Gentian Sulës.

Përveç gjobës, Komisioneri ka urdhëruar “Agi Kons” të marrë masa të menjëhershme për përputhshmëri me ligjin, përfshirë sigurimin e pëlqimit të subjekteve për përdorimin e të dhënave, rishikimin e kontratës me “InterMedia”, si dhe hartimin dhe zbatimin e masave të nevojshme për sigurinë e informacionit.

Ndërkohë, kompania dhe pronari përfitues i saj janë gjithashtu në fokus të një hetimi nga Prokuroria e Posaçme (SPAK). Në vitin 2025, SPAK ka kërkuar dokumentacion nga Bashkia e Tiranës lidhur me leje ndërtimi, kontrata prokurimi dhe koncesione për periudhën 2015–2024.

Sipas raportimeve, hetimi lidhet me dyshime për korrupsion aktiv në kuadër të dosjes “Veliaj”. Në këtë kuadër janë kërkuar edhe ortofoto satelitore për zonën “Kodra e Diellit” në Tiranë dhe resortin “Marea” në Qerret, projekte të lidhura me aktivitetin e kompanisë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.