Skandali me autobusët në Tiranë, “shpërthen” zyrtari socialist

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

“Privatët po lënë qytetarët në rrugë, transporti t’i kalojë shtetit”

Këshilltari i Partisë Socialiste në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Alfred Muharremi Kika, ka reaguar publikisht duke kërkuar që shërbimi i transportit urban të mos jetë më në duart e operatorëve privatë, por të administrohet drejtpërdrejt nga shteti.

Reagimi i tij vjen pas problematikave të hasura gjatë ditës së sotme, ku qytetarët u përballën me mungesë autobusësh dhe pritje të gjata në stacione. Sipas Kikës, situata e krijuar është e papranueshme dhe cenon drejtpërdrejt shërbimin bazë ndaj qytetarëve.

Ai shprehet i shqetësuar për vendimmarrjen e kompanive të transportit, të cilat, sipas tij, pavarësisht mbështetjes së vazhdueshme nga qeveria, kanë reduktuar flotën në qarkullim. Kika kujton gjithashtu se më herët këto kompani rritën çmimin e biletës duke u justifikuar me shtrenjtimin e karburantit, por edhe pas stabilizimit të çmimeve, tarifa mbeti e pandryshuar.

Sipas tij, vendime të tilla tregojnë mungesë përgjegjësie sociale dhe përbëjnë një formë abuzimi ndaj qytetarëve, të cilët mbeten pa një shërbim jetik.

Në përfundim, ai thekson se kjo situatë është një tjetër argument që transporti publik duhet të kalojë nën administrimin e shtetit, për të garantuar standard, qëndrueshmëri dhe llogaridhënie ndaj qytetarëve.

“I shqetësuar nga vendimmarrja e shoqërive të transportit publik, që pavarësisht mbështetjes së kudo ndodhur nga qeveria shqiptare kanë reduktuar flotën e tyre në shërbim ndaj qytetarëve. Dikur e rritën çmimin e biletës me arsyetimin e rritjes së çmimit të naftës gjatë krizës kohë më parë edhe pse u ul, sërish e mbajtën të pa ndryshuar…. sot sërish bëjnë këtë manovër që nuk është aspak mbi rregullat dhe fushën e përgjegjësisë sociale që një kompani duhet të ketë. Pra me pak fjalë abuzim total. Kjo është arsyeja që shërbimi i transportit publik duhet të jetë nga vetë shteti”, shkruan ai.

Publikuar nga Publik Media