Skandali me ministrin e Jashtëm, Këlliçi kërkon dorëheqjen e Ferit Hoxhës
Një tjetër përplasje e fortë politike ka shpërthyer pas publikimit të disa mesazheve që pretendohet se i përkasin ministrit të Jashtëm, Ferit Hoxha. Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka bërë publike përmbajtjen e një komunikimi në WhatsApp, ku sipas tij ministri i referohet shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut me fjalët: “Po ata idiotët shqiptarë atje çfarë thonë”.
Publikimi i këtij mesazhi ka sjellë reagime të forta në opinionin publik dhe në arenën politike. Këlliçi ka reaguar ashpër, duke i kërkuar publikisht dorëheqjen ministrit të Jashtëm, Ferit Hoxha.
“Ferit nuk ke pse vazhdon e diskretitohesh!!! Nuk të mbron dot as time zones të ndryshme dhe as dalja nga grupet e WhatsApp-it! Je thjesht skandaloz dhe këtë po e fakton nga ora në orë! Jep dorëheqjen dhe kërko falje publike për këtë turp e skandal të pashembullt!”, shkruan deputeti demokrat.
Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga ministri Hoxha lidhur me këto akuza, ndërsa pritet të shihet nëse ky episod do të ketë pasoja politike apo institucionale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




