Skandaloze! Zv.ministrja e Bujqësisë krahason protestuesit me delet
Një postim në rrjetet sociale nga zëvendësministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Tana Kika, ka shkaktuar reagime dhe debat në opinionin publik.
Një muaj më parë, Këshilli i Ministrave miratoi ndryshime në kabinetin qeveritar, ku ndër emërimet e reja ishte edhe Kika në postin e zëvendësministres. Por ditën e djeshme, ajo ka ripublikuar një video ku shfaqen disa dele duke marshuar në tufë në një rrugë.
Postimi është interpretuar nga një pjesë e qytetarëve si një ironi ndaj protestuesve, të cilët prej 14 ditësh dalin çdo ditë në Tiranë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit.
Sipas reagimeve në rrjet, videoja është parë si një krahasim simbolik mes protestuesve dhe tufës së deleve.
“Zëvendësministrja ka nxjerrë një video të gjatë me një tufë dele duke ecur në qytet. Duket sikur po i krahason me të rinjtë që protestojnë”, shprehet një qytetar.
Ndërkohë, protestat në kryeqytet vijojnë prej dy javësh, ku qytetarë të shumtë dalin çdo ditë në rrugë, duke e cilësuar këtë lëvizje si një reagim ndaj klasës politike që ka drejtuar vendin gjatë 35 viteve të fundit.
Me pankarta në duar dhe thirrje që janë kthyer në simbol të protestës, qytetarët kanë përsëritur sloganet “Rama, jep dorëheqjen” dhe “Rama n’burg, Berisha n’burg”, duke kërkuar më shumë llogaridhënie dhe fundin e pandëshkueshmërisë në politikë.
Deri tani nuk ka një reagim zyrtar nga zëvendësministrja lidhur me interpretimet që janë bërë për postimin e saj, ndërsa debati vijon të jetë aktiv në rrjetet sociale.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



